Seanca e Kuvendit vazhdon ditën e mërkurë
Prishtinë, 17 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, e ka vendosur që mbledhja plenare e filluar më 14 mars të vazhdojë ditën e mërkurë, më 19 mars, për të shqyrtuar pesë pikat e mbetura nga ajo seancë.
Seanca e re e rregullt m bahet të enjten, më 20 mars. Pas shterim it të pikave të përhershme të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë gjashtë projektligje:
Projektligjin për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligjin për themelimin e Agjencisë për shërbimet e Navigacionit Ajror, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Kryesia në mbledhjen e sotme ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2013, duke konstatuar se Buxheti i legjislativit është shpenzuar me nikoqirllëk dhe se në shumë zëra të shpenzimeve të planifikuara ka pasur kursime të konsiderueshme.
Anëtarët e Kryesisë janë pajtuar që për seancën radhës (gjatë javës së ardhshme)të nxirret për miratim Deklarata për partneritet ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile, e propozuar nga nënkryetari Glauk Konjufca dhe gjashtë deputetë të tjerë nënshkrues.
Ndërkaq kanë vendosur që lidhur me kërkesën për procedimin e Projektligjit për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës, ta ngarkojnë Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri që të përgatisë raportin me rekomandime, para se projektligji të radhitet për seancë plenare.
Kërkesa për procedimin e Projektligjit për Lojërat e Fatit, i propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, i dërgohet Qeverisë, për mendim.
Sa i përket Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilit i rekomandohet Kuvendit që të kërkoj nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, zbatimin e Vendimit të Gjykatës Komunale në Ferizaj, të datës 11 janar 2012, sepse, siç thuhet, Qeveria në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive që ka do të kryejë të gjitha obligimet që dalin nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të datës 17 dhjetor 2010, shumica pjesëmarrësve të takimit të sotëm e kanë vlerësuar të pabazuar, meqenëse Kuvendi dy herë ka debatuar për këtë çështje, duke i rekomanduar AKP-së dhe Qeverisë së Kosovës ta përmbushin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithëkëtë Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa, si komision funksional, që ta shqyrtojë Vendimin e Qeverisë lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për pagat e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj dhe Kuvendit t`ia paraqesë raportin me rekomandime.
Kryesia është njoftuar lidhur me vizitën zyrtare të katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës (Tuta Sahatqija, Fikrim Damka, Hashim Deshishku dhe Ali Sadria), të realizuar në Beograd, prej dt. 3-4 mars 2014. Ata kanë marrë pjesë në Konferencën Roli i parlamenteve në promovimin e investimeve dhe konkurrencën në Ballkanin Perëndimor, të organizuara nga Fondacioni Westminster për Demokraci (WFD).