Seanca e Kuvendit mbahet më 8 nëntor
Prishtinë, 5 nëntor - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që mbledhja plenare e radhës të mbahet më 8 nëntor, duke e përcaktuar edhe rendin e ditë për këtë seancë.
Pas pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për investimet e huaja, Projektligjin për Avokaturën Shtetërore, si dhe Projektligjin për Agjencinë e Regjistrimit Civil. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Raporti vjetori Auditimit për vitin 2011, kurse do të ratifikohet Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit dhe të Universitetit të Pejës.
Do të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.
Në kuadër të pikës shqyrtimi i rekomandimeve dhe kërkesave, Kryesia ka marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që në bazë të nenit 56 paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit dhe në pajtim me Përfundimin e Kryesisë së Kuvendit, çështja të radhitet në mbledhje plenare, me propozim që të ngarkohet Qeveria për hartimin e Projektligjit te ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Pasi e ka shqyrtuar (për herë të dytë) kërkesën e deputetit Ramë Vataj, mbështetur edhe nga tetëmbëdhjetë deputetë të tjerë, për debat parlamentar lidhur me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dhe kundërshtimeve të shfaqura për këtë nismë, Kryesia i ka ngarkuar: Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media dhe Komisionin për Legjislacion të shqyrtojnë substancën e kërkesës ( ligjshmërinë e rekomandimit të propozuesit të debatit) dhe Kuvendit ti paraqesin raportin me rekomandime.
Kërkesën, ndërkaq, për procedimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Buxhet dhe Financa, duke e ngarkuar që Kuvendit ti paraqesin raportin me rekomandime.
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar me vendimin e Grupit Parlamentar të SLS-së për zëvendësimin e anëtarit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, si dhe me vendimin e GP/ të KKR-së, lidhur me zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.