Seanca e Kuvendit mbahet më 5 dhjetor
Prishtinë, 2 dhjetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka konfirmuar se seanca e radhës do të mbahet më 5 dhjetor, duke e plotësuar rendin e ditës për këtë seancë.
Ashtu siç ishte përcaktuar në mbledhjen paraprake të Kryesisë më 25 nëntor, në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës magjistrale Milloshevë-Mitrovicë-Rruga M2, e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID).
Në vazhdim, ndërkaq, do të shqyrtohen dy projektligje. Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për administratën tatimore dhe procedurat, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 03//L-102.
Në po këtë seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për lojërat e fatit, si dhe Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2012.
Kryesia ka vendosur që në këtë seancë ta radhisë edhe emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryesia ka tumir Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Radiotelevizionit të Kosovës për transferin e mjeteve për RTK-në (në shumë prej një milion euro), sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Duke e shqyrtuar kërkesën e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për procedimin e Raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2012, si dhe njoftimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me procedimin e Raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2012, Kryesia është pajtuar që çështja të shtrohet në Komision (më 11 dhjetor 2013), në mënyrë që më pastaj të paraqitet për shqyrtim bashkë me Raportin vjetor të punës se këtij institucioni.