Seanca e Kuvendit mbahet më 5 dhjetor
Prishtinë, 25 nëntor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 5 dhjetor, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.
Fillimisht do të shqyrtohet Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për hua për financimin e vazhdimit të ndërtimit të rrugës magjistrale Milloshevë-Mitrovicë-Rruga M2 e lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), kurse në vazhdim do të shqyrtohen dy projektligje.
Për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, kurse më pastaj do të shqyrtohet për herë dytë Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për administratën tatimore dhe procedurat, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03//L-102.
Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për lojërat e fatit.
Rendi i ditës, ndërkaq mund të plotësohet edhe me pika të tjera, të cilat, deri në mbledhjen e radhës së Kryesisë, i përmbushin kushtet për shqyrtim në seancë.
Kryesia ka vlerësuar se kërkesa deputetit, Visar Ymeri, e mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë, për debat parlamentar lidhur me privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve në Zonën Industriale të Prishtinës, i plotëson kushtet për tu radhitur në seancë (brenda tri javësh pune nga dita e shqyrtimit të Kryesi).
Njësoj është vlerësuar edhe kërkesa për debat parlamentar, e parashtruar nga deputetja Donika Kada-Bujupi, mbështetur edhe nga shtatë deputetë të tjerë, lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës për vitin 2013, por e cila për shkak se lidhet me kompetencën e vazhdueshme të legjislativit të vendit, është thënë se çështja nuk duhet lidhur me afatin kohor, por me përgatitjen subjekteve relevante për ta trajtuar atë.
Po në mbledhjen e sotme Kryesia e ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit për nëntëmujorin e vitit 2013, arsyetimin e të cilit e ka dhënë Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.
Sa i përket Rekomandimit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave vjetore financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2013, Kryesia e ka autorizuar Administratën e Kuvendit, përkatësisht Departamentin e Prokurimit të bëjë përzgjedhjen e auditorit të jashtëm, për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2013.
Lidhur me kërkesën e banorëve të 15 fshatrave të Rugovës për rishqyrtimin e Ligjit për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor që ta shqyrtojë kërkesën e banorëve të 15 fshatrave të Rugovës dhe në bazë të ligjit të rekomandojë për veprime të mëtejme.
Duke e shqyrtuar Rekomandimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Kryesia ka kërkuar sqarime shtesë nga ky organ lidhur me veprimet e mëtejme për shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjedhjen e kryesuesit dhe të anëtarëve të OShPP-së.