Samiti i Vjenës afirmon shtetin e Kosovës
Prishtinë, 25 gusht - Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Vjenës, më 27 gusht, si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, është vlerësuar si shumë e rëndësishme nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Profesorët Ibrahim Gashi dhe Afrim Hoti kanë deklaruar për Epokën re e se prania e zërit të Kosovës nëpër forume të tilla konfirmon njohjen faktike të Kosovës si entitet shtetëror i barabartë me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Përfitimet e Kosovës nga Samiti i Vjenës, i cili do të mbahet këtë të enjte, sipas këtyre profesorëve, do të jenë shumëdimensionale. Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Ibrahim Gashi, ka deklaruar se, përveç përfitimeve politike, në këto samite Kosova përfiton edhe në aspektin ekonomik.
Së pari vetë pjesëmarrja e Kosovës ka një rëndësi të madhe pa diskutim. Kosova kësisoj po e kalon sfidën e pjesëmarrjes edhe në ato forume ku është e ftuar dhe merr pjesë edhe Serbia. Pra, Samiti i Berlinit, takimi i Tiranës dhe tani Samiti i Vjenës gjithnjë e më shumë po e konfirmojnë njohjen faktike të Kosovës si entitet shtetëror i barabartë me shtetet e rajonit. Nga ana tjetër, Samiti i Vjenës ka një rëndësi të veçantë edhe për ekonominë e Kosovës, sidomos për projektet infrastrukturore me të cilat ekonomikisht do të lidhet rajoni i Ballkanit perëndimor, ka thënë Gashi, duke përmendur efektet që mund të arrihen nëpërmjet ndërtimit të projekteve hekurudhore.
Kjo mund të ndikojë në sjelljen e investitorëve të huaj në rajon dhe në Kosovë. Mbase do të ketë edhe financim të projekteve infrastrukturore në Kosovë. Samiti sigurisht se do të ndikohet edhe nga tema të ndjeshme të aktualitetit si: kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe sfida që ato paraqesin për sigurinë dhe ekonominë e rajonit të Ballkanit, ka deklaruar Gashi.
Profesori i historisë se diplomacisë ka bërë me dije se pjesëmarrja nëpër samite të tilla e ndihmon Kosovën edhe në rrugën e saj evropiane. Sipas tij, këto forume janë raste të mira që shteti i Kosovës ti paraqesë shqetësimet dhe nevojat që ka. Padyshim se të qenit pjesë e barabartë e këtyre samiteve e ndihmon afirmimin e shtetit sonë. Samitet si ky janë një rast i mirë që Kosova, përkatësisht përfaqësuesit e saj, ti prezantojnë të arriturat dhe sfidat që kanë. Këto samite janë një rast i mirë për ta rritur frymën e bashkëpunimit rajonal, për ti diskutuar shumanshëm problemet me të cilat përballet Kosova.
Për shembull, ky është një rast i mirë për ti ngritur shqetësimet me shkallën e lartë të papunësisë, nivelin e korrupsionit dhe tendencat ekstremiste. Kjo është edhe një mundësi e re për ta kërkuar heqjen e regjimit të vizave si mjet për ndaljen e trendëve të migrimit ilegal nga Kosova drejt vendeve të BE-së, është shprehur Gashi, duke shprehur besimin e tij se Kosova do ta shfrytëzojë maksimalisht këtë rast.
Shpresoj që delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Mustafa, do ta shfrytëzojë maksimalisht këtë samit për ta rritur shkallën e mbështetjes së BE-së për Kosovën dhe rajonin si alternativa e vetme stabilizuese me të cilën do të ishin të ftuar të dyja palët. Politikat e margjinalizimit dhe të izolimit të Kosovës dhe të rajonit do të kishin konsekuenca edhe për vetë BE-në, ka thënë Gashi.
Edhe profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka treguar se Kosova nga ky forum mund të përfitojë politikisht dhe ekonomikisht. Ai ka thënë se në këtë mënyrë shteti i Kosovës po tregon që është faktor stabiliteti në rajon. Së pari, rëndësia e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit reflekton barabarësinë e Kosovës me vendet e tjera të rajonit. Së dyti, pjesëmarrja e shtetit tonë në këtë samit me emër të plotë tregon se Kosova është bërë faktor stabiliteti dhe është bërë faktor i patejkalueshëm për të gjitha zhvillimet në rajon, por edhe përtej rajonit.
Dhe, së treti, është interesi ekonomik. Ky samit është rrjedhojë i Samitit të Berlinit që e ka organizuar kancelarja Merkel, i cili, ndryshe nga samitet e deritashme, flet me terma konkretë për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe në këtë rrafsh Kosova ka mundësi të paraqesë projekte që kanë efekt bilateral, ka thënë Hoti. Ai ka sugjeruar që në këtë samit Kosova duhet të dalë me plan konkret për hekurudhën Prishtinë - Tiranë ose autostradën Prizren - Tetovë.
Hoti ka vlerësuar se forumet e tilla tregojnë gatishmërinë e shteteve për fqinjësi të mirë si parakushte për tu bërë pjesë e BE-së. Samitet e tilla e ndihmojnë Kosovën në raport me procesin e integrimit evropian. Aspekti politik nënkupton fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet e rajonit. Në këtë drejtim pjesëmarrja e Kosovës në njëfarë forme nuk i shtyn Serbinë dhe Bosnjën për ta ndryshuar pozicionin ndaj Kosovës, po në mënyrë indirekte reflektohet gatishmëria e vendit për fqinjësi të mirë. Ky është element shumë pozitiv, ka thënë Hoti.
Samiti i Vjenës, i cili mbahet më 27 - 29 gusht, është i dyti pas atij të Berlinit që mbahet me inicimin e kancelares gjermane Angela Merkel. Në Berlin u konsolidua bashkëpunimi ekonomik në parim mes gjashtë vendeve të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovinë. Vendet ranë dakord që me ndërmjetësimin e Gjermanisë do ti drejtohen Bashkimit Evropian me projekte të përbashkëta rajonale, ku do të kërkohen financime. Hapi i radhës qe takimi në Tiranë i gjashtë kryeministrave të rajonit, në tryezën Tirana Talks, ku vendet ranë dakord për koordinimin e projekteve të përbashkëta. Autostrada Nish - Prishtinë - Durrës pritet të jetë një nga temat kyçe të diskutimit në këtë samit.