12 Mars 2025

Salih Salihu, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Vitisë

Viti, 26 korrik - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Viti sot mbajti konferencë për media me ç’rast u fol për zgjedhjet e brendshme në këtë qendër si dhe u shpall kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Komunës së Vitisë, i dalë pikërisht nga këto zgjedhje.

Gjatë tërë ditës së martë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! në 15 Pika të Komunës së Vitisë, kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për kryetar komune.

Gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, nuk është vërejtur asnjë parregullsi. Rezultatet paraprake janë shpallur ditën e martë, pastaj është pritur 24 orë dhe pranë Komisionit Zgjedhorë ad hoc të Qendrës nuk është paraqitur asnjë ankesë.

“Ne si komision vlerësojmë procesin e zgjedhjeve si të lira dhe në përputhje të plotë me frymën e demokracisë së brendshme të statutit dhe rregullores për zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!."

"Nisur nga ky konstatim, sot shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve për kandidatin për kryetar komune në Viti, profesor Salih Salihun, i cili ka fituar 98.00 % të votave. I urojmë profesor Salih Salihut suksese ne zgjedhjet lokale te cilat do te mbahen më 3 nëntor”, tha Osman Mustafa nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Viti.
 
Pas tij, foli kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Komunës së Vitisë, profesor Salih Salihu, i cili  iu shprehi mirënjohje dhe i falënderoi aktivistët e Vetëvendosje!-s në Viti për besimi që ia dhanë.

“Me këtë rast dua të ju siguroj që energjia dhe potenciali im politik e profesional do të jenë plotësisht në funksion të arritjes së fitores së 3 nëntorit, e cila do të shënojë fundin e një periudhe të gjatë të keqqeverisjes dhe fillimin e mbarë të një qeverisje të bazuar në vullnetin dhe interesat e qytetarëve të Vitisë”, tha ndër të tjera Salihu.

Duke folur për prioritet që ka për zhvillimin e komunës së Vitisë, profesor doktori i bujqësisë, Salih Salihu, shtoi se bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! do të lidhë kontratë me qytetarët e Vitisë, për një qeverisje që ka prioritet zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë, e jo për një qeverisje që lë anash këtë sektor.

“Një qeverisje që bujqësinë e trajton si mundësi zhvillimi ekonomik dhe rritje të prodhimit e punësimit. Qeverisje që do të ofrojë mbështetje profesionale për bujqit, blegtorët dhe pemëtarët, dhe që do të krijojë klimë favorizuese për investitorët vendorë e të diasporës në fushën e biznesit, prodhimit dhe industrisë ushqimore përpunuese”, tha ndër të tjera Salihu.
 
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, përgëzoi Qendrën e Vetëvendosje!-s në Viti që kanë zgjedhur kandidatin e duhur, në vendin dhe kohën e duhur.

“Prof. Dr. Salih Salihu, ka studiuar dhe ka doktoruar në Universitetin e Vjenës në Austri. Ai është profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës dhe njëkohësisht ka një fermë bujqësore në Komunën e Vitisë. Ka mbajtur ligjërata në universitete të ndryshme, si dhe ka shumë punime shkencore të botuara në revista të ndryshme. Pra, ai është njeriu i duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur”.

Duke folur për mungesën e zhvillimit ekonomik në Viti, Kurti shtoi se Vitia, jo vetëm që është karakterizuar nga keqqeverisja dhe mungesa e politikave për zhvillim ekonomik dhe social, për këtu kemi edhe shansin e humbur.

“Vitia ka shumë tokë pjellore, dhe bujqësia sikurse lavërtaria dhe perimtaria do të mund të zhvilloheshin shumë më tepër, mirëpo këto fusha nuk e kanë pas përkrahjen e duhur as nga institucionet lokale, as nga ato qendrore."

"Njësoj si në të gjithë Kosovën, edhe në Viti ka ndodhur deindustrializimi përmes privatizimit, me ç’rast bujqësia e zejtaria janë zëvendësuar me tregti që kryesisht është e bazuar në import. Fabrika "Vinex" në Viti, që ka prodhuar bulona, gjilpëra, madje edhe armatura, prej 500 punëtorëve sa i kishte dikur, tash nuk i ka as 50”, u shpreh Kurti.

Ai përmendi edhe problemet politike të kësaj komune, si decentralizmin me baza etnike përmes të cilit u krijua Komuna e Kllokotit e u përgjysmua Vitia, dhe problemin në fshatin Debëlldeh lidhur me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë.

Në fund, u bë thirrje që të ketë sa më shumë takime me qytetarët e Vitisë, në mënyrë që Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes Vetëvendosje! të përkthehet në alternativë qeverisëse për këtë komunë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)