Sadri Ferati propozohet koordinator për veriun
Prishtinë, 10 shkurt - Kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë kanë filluar përpjekjet për krijimin e një trupi të llojit të ekipit të unitetit, për të adresuar çështjen e veriut të Kosovës.
Burime ndërkombëtare kanë konfirmuar për Kohën ditore se synimi i shefit të ekzekutivit është që brenda këtij trupi ti ketë medoemos dy partitë opozitare, LDK-në dhe AAK-në.
Vetëvendosja nuk pritet të jetë pjesë e mekanizmit unifikues, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që edhe ky subjekt të ftohet.
Të njëjtat burime kanë shpjeguar se ish ministri i Pushtetit Lokal, që aktualisht është deputet i LDK së, Sadri Ferati, është propozuar të jetë koordinator për veriun.
Kjo për faktin se Ferati është pjesë e opozitës parlamentare dhe nga ndërkombëtarët vlerësohet si njohës i rrethanave në veri të vendit.