Rugova: LDK duhet të hapet për kuadro të reja
Prishtinë, 10 korrik - Lidhja Demokratike e Kosovës ka kryesi por pa guxim. Kjo parti duhet të hapet më shumë për të futur kuadro dhe fytyra te reja. Kështu shprehet Mendim Rugova, djali i madh i presidentit historik të Kosovës dhe themeluesit të LDK-së Ibrahim Rugova.
Mendimi, në një intervistë për \'Tribunën\' ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e hyrjes në LDK nëse këtë ia kërkon elektorati.
Ai tregon prapavijën e takimeve me kryetarin Isa Mustafa, i cili në fund ka refuzuar që Mendimi të jetë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së.
Mendim Rugova shpjegon se kryesia e moshuar e LDK-së i frikësohen autoritetit të familjes Rugova. Ata fillimisht në vitin 2010 ia kishin mbyllur derën Ukës, e para këtyre zgjedhjeve edhe kishin refuzuar që Mendimin ta kenë në listë.
Ai nuk ia fal strukturave aktuale të partisë indiferencën ndaj arrestimit të Ukë Rugovës. Isa Mustafën e përshkruan si politikan pa guxim.
Familja Rugova nuk do asgjë më shumë sesa ndërprerja e arrestimit të Ukë Rugovës. Ata janë të bindur se hetimet që do të vazhdojnë, do të dëshmojnë se Uka nuk ka gisht në asnjë prej dyshimeve. Mendimi thotë se për vëllain e tij të vogël që një dekadë janë krijuar mite e mite nëpër media dhe kafehane, thashetheme që kanë pasur për qëllim denigrimin e familjes.
Ai është i bindur se e ardhmja do ta dëshmojë mirësinë që ka Uka, mirësi që sot e ka çuar në paraburgim.
/Tribuna/