01 Maj 2024

"Rrjeti Transatlantik TN2020”, Kosova mirëpret 40 pjesëmarrës

Prishtinë, 26 mars - Me rastin e organizmit të Konferencës “Rrjeti Transatlantik TN2020”, e cila do të zhvillohet nga 27 deri më 29 mars 2012 në Prishtinë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Petrit Selimi dhe drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast kanë shpalosur detaje rreth këtij aktiviteti.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se kjo konferencë, e cila organizohet nga Këshilli Britanik në Kosovë, Këshilli Britanik në Washington DC dhe Ambasada Britanike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, është konferenca e parë globale e këtij lloji që mbahet në Kosovë.

“Për herë të parë në Kosovë është vendosur të takohet një grup nga 40 liderësh më të mëdhenj nga Amerika Veriore, nga Meksika,  por edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën”, bëri të ditur Selimi. 

Arjeta Emra, drejtoreshë e Këshillit Britanik në Kosovë, ka thënë se kjo Konferencë është në vazhdën e konferencave të mbajtura edhe vitin e kaluar në kuadër të projektit “Kosovo Talks EU”. 

“Këtë radhë sjellim në Kosovë 40 pjesëmarrës, prej Amerikës Veriore, Meksikës dhe Evropës, me fokus të veçantë në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Tema e Konferencës është ‘Fuqizimi i Ballkanit’, dhe arsyeja pse e kemi zgjedhur këtë temë është sepse mendojmë që momentalisht Ballkani si rajon, ka një momentum të ri, ka zhvillime pozitive”, tha Emra.

Ajo bëri të ditur se në kuadër të Konferencës “Rrjeti Transatlantik TN2020”, Kosova mirëpret 40  pjesëmarrës të cilët do të diskutojnë në katër sektorë të ndryshëm, pasi që pjesëmarrësit do të vijnë prej medieve, biznesit, qeverisë dhe shoqërisë civile.

“Përzgjedhja e pjesëmarrësve ka qenë një proces tremujor, të cilët janë zgjedhur me aplikime, kanë bërë punë para se të vijnë në Kosovë, kështu që në Kosovë vijnë të përgatitur për Konferencë. Gjatë këtyre tre ditëve pjesëmarrësit do të takohen edhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duke përfshirë këtu Zyrën e Kryeministrit, MTI-në, mediet dhe shoqërinë civile”, bëri të ditur Emra.

Në interesimin e gazetarëve për efektin e pritshëm të kësaj Konference, zëvendësministri Selimi, tha se në strategjinë e vitit të kaluar janë identifikuar disa arsye se përse Kosova nuk ka komunikim më të thellë me shtetet që nuk na kanë njohur, përfshirë edhe pesë shtetet e BE-së. 

“Si pjesë e këtij revidimi strategjik ne kemi propozuar disa hapa në etablimin dhe thellimin e komunikimit. Ky është njëri prej hapave, që ne tash gjatë krejt viti do të mundohemi në mënyrë të pandalshme që me Athinën, Nikozinë, Bukureshti, Bratislavën dhe Madridin të kemi kontakte shumë më të shpeshta, me krejt spektrin e shoqërisë së këtyre vendeve, pra jo vetëm në aspektin diplomatik”, tha Selimi.

Zëvendësministri bëri të ditur se si pjesë e projektit të sivjetshëm me Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Këshillin Britanik, do të jetë edhe organizmi për herë të parë i evenimenteve, konferencave në këto kryeqytete, pra që nga Kosova të shkojnë përfaqësues të shoqërisë civile, politikës, biznesit që në këto kryeqytete të krijohen rrjete të reja. 

“Ne shpresojmë se me projekte të tilla të shumta që janë zhvilluar vitin e kaluar dhe të cilat do të vazhdojnë gjatë këtij viti do ta thellojmë dhe do ta ndihmojnë atmosferën e përgjithshme, e cila do të shkojë drejt njohjes”, tha Selimi.

Drejtoresha e Këshillit Britanik, Arjeta Emra, bëri të ditur po ashtu se sivjet për herë të parë është krijuar një fond i veçantë për avokim. “Kështu që për shembull nëse një gazetar, një përfaqësues i shoqërisë civile në Kosovë merr ftesë për një konferencë në një nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, mund t’i drejtohet MPJ-së dhe Këshillit Britanik dhe mund t’i ndihmojmë në aspektin e shpenzimeve”, tha Emra.

Nesër, (e martë), fillon punimet Konferenca “Rrjeti Transatlantik TN2020”, e organizuar nga  Këshilli Britanik në Kosovë, Këshilli Britanik në Washington DC dhe Ambasada Britanike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, me  temën “Fuqizimi në Ballkan”.

Mediet, janë të ftuara të marrin pjesë në hapjen e sesionit të konferencës, e cila do të zhvillohet prej orës 09:00 deri në 10:15 të së martës, më 27 mars 2012, në "Hotel Emerald".

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)