Rritja e azilkërkuesve dëmton dialogun për vizat
Prishtinë, 12 janar - Progresi në zbatimin e reformave dhe rekomandimeve që dalin nga udhërrëfyesit për liberalizmin e vizave është i kushtëzuar nga zvogëlimi i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian.
Derisa të mos bëhet kjo, zyrtarë të BE-së nuk pranojnë të japin ndonjë afat se kur mund të hiqen vizat për kosovarët.
Qeveria e pranon se migrimi ilegal është duke shtyrë heqjen e vizave, derisa përmendin si kritere të përmbushura vazhdimin e ripranimit të personave të riatdhesuar dhe riintegrimin e tyre.
Ndërkaq, analistët thonë se qeveria duhet të punojë jo vetëm në zbatimin e kushteve teknike të udhërrëfyesit, por të zbatojë edhe programe me orientime ekonomike për ndaljen e migrimit ilegal, me fokus tek zonat më të prekura.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë janë shprehur se Kosova duhet të dëshmojë përkushtim në përmbushjen e rekomandimeve sidomos luftimin e migrimit ilegal në vendet e BE-së.
/Koha Ditore/