Rriten kërkesat për qasje në dokumentet zyrtare
Mitovicë, 5 shkurt - Interesimi i qytetarëve mitrovicas për qasje në dokumentet zyrtare është rritur dukshëm në vitin e kaluar.
Në komunë tregojnë se ka pasur 32 kërkesa zyrtarë, të cilat janë trajtuar në kohën e duhur.
Autorizimi i një zyrtari për trajtimin e kërkesave për qasje në dokumentet zyrtare ka dhënë rezultat në Komunën e Mitrovicës.
Zyrtarja Fatbardha Boletini, e ngarkuar me këtë përgjegjësi, thotë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarë dhe organizatat e ndryshme.
Ajo thotë se gjatë periudhës një vjeçare Komuna e Mitrovicës ka shqyrtuar 32 kërkesa për qasje në dokumente publike.
Shumica e këtyre kërkesave kanë qenë kërkesa për buxhet dhe shpenzime, vendime të ndryshme të nxjerra nga Kuvendi i Komunës apo kryetari, dokumente, konkurse etj, të cilat në afatin optimal ose edhe brenda ditës janë kthyer përgjigjet për të gjithë me kërkesa të kësaj natyre.
Boletini sqaron se përgjigjet jepen në formën qysh i duan ata që i shtrojnë kërkesat.
Përgjigjet për kërkuesin kthehen në formën fizike dhe elektronike, ashtu siç e parasheh edhe ligji.
Për ti informuar qytetarët për mundësinë që kanë për të shtruar kërkesa për qasje në dokumentet zyrtare, Komuna e Mitrovicës ka edituar edhe numrin e telefonit kontaktues në webfaqen zyrtare.