RrGK mbajti Kuvendin e 19 Vjetor të Anëtareve
Prishtinë, 11 dhjetor - Sot Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin e 19 Vjetor të Anëtareve.
174 pjesëmarrës nga organizatat anëtare, partnerët, miqtë, e përkrahësit e rrugëtimit të RrGK-së, patën mundësinë të bashkëbisedojnë rreth aktivizmit të përbashkët në arritjen e barazisë gjinore në Kosovë.
Takimi u hap nga Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa, e cila e çmoi punën e RrGK-së përgjatë viteve.
“Sukseset e Rrjetit ndër vite kanë qenë të mëdha. Me kyçjen e grave në zhvillime socio-ekonomike japim kontribut për zhvillimin e gjithë Kosovës. Falënderoj të gjitha organizatat anëtare për punën e vazhdueshme. Rrjeti qëndron shumë i fortë me ju së bashku!”, tha ajo.
Vlerësim të ngjashëm për punën e RrGK-së dha edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.
“RrGK është partnere e Agjencisë Austriake për Zhvillim tash e dhjetë vite dhe më lejoni të falënderoj RrGK-në për bashkëpunimin e shkëlqyer. Një botë paqësore dhe e zhvilluar nuk mund të përjashtojë gratë!”, tha ambasadori Ëeidinger ndër të tjerash.
Tutje, Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, shprehi vlerësim e nderim për punën e RrGK-së dhe të organizatave anëtare.
“Ndihem e privilegjuar të dëshmoj progresin e bërë ndër vite në Kosovë dhe kontributi i RrGK-së në këtë nuk mund të nënvlerësohet. RrGK është një shembull i shkëlqyer se çfarë mund të arrijë një organizatë feministe”, shtoi ajo.
Kurse Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrika Richardson, theksoi rëndësinë e punës së lëvizjeve të grave në mbarë botën.
“Lëvizja e grave dhe misioni juaj janë më të rëndësishme se kurrë më parë si pasojë e pandemisë. E respektoj shumë punën që bëni”, tha ajo.
Synimet strategjike të RrGK-së mund të shërbejnë si shembull i mirë për shumë qeveri në botë, tha Jarmo Feliks Helppikangas, Shef i Sektorit për Sundimin e Ligjit, nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
“Puna juaj në legjislacion na ka ndihmuar shumë edhe neve, për shkak se gjithmonë dimë ku të shikojmë dhe kë të pyesim. Puna juaj flet në emrin tuaj!”, tha Helppikangas.
Përgjatë Kuvendit, për të katërtin vit me radhë u bë edhe ndarja e çmimit “Sevdije Ahmeti”, në kujtim të aktivistes feministe dhe humanistes Sevdije Ahmeti (1944-2016).
Ky çmim iu nda Shukrije Gashit, aktiviste feministe e shoqërisë civile, Drejtore Ekzekutive e organizatës “Partners Kosova, juriste, ish-gazetare, eksperte në të drejtat e njeriut, veçanërisht në të drejtat e grave, eksperte në drejtësinë tranzicionale, trajnere e konsulente ndërkombëtare, si dhe poete.
Këtë çmim që nderon gra të cilat kanë lënë gjurmë në përparimin e pozitës së gruas në Kosovë, e ndau motra e Sevdije Ahmetit, Hikmete Xharra.
Me këtë rast, znj. Gashi u shpreh shumë e emocionuar dhe e vlerësuar.
“Përveç se është nder i madh është edhe pikëllim, sepse Sevdije Ahmeti ishte gruaja e cila vetë e bëri ndryshimin në Kosovë. Punën për barazinë gjinore e kam mësuar fuqishëm me Sevdijen. Faleminderit Igos [siç ajo e quan miqësisht Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogovën] dhe gjithë RrGK-së”.
Pasi që RrGK e vlerëson Kuvendin si mundësi tejet të mirë për të ndarë informata dhe për të rritur solidaritetin ndërmjet grave, Stafi i RrGK-së edhe këtë vit raportoi për punën e bërë gjatë vitit 2021, duke u përqëndruar në gjashtë programet e Strategjisë 2019-2022.
Anëtaret njëzëri miratuan raportin vjetor për vitin 2021, kurse në pjesën e dytë të takimit anëtaret zgjodhen Shqipe Malushin, Vjosa Dobrunën, dhe Feride Rushitin, anëtare të rejaa të Bordit të RrGK-së, në vend të Ariana Qosaj-Mustafës, Magbule Hysenit, dhe Vlora Hotit.
Në fjalimin përmbyllës, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi.
“Është kënaqësi të ju shoh të gjithëve sot. Falënderoj përfaqësuesit e zyrave të huaja në Kosovë, për mbështetjen e vazhdueshme të Rrjetit të Grave të Kosovës, dhe organizatat tona anëtare për punën e tyre. Këtu ku jemi kemi arritur bashkë!”, tha Rogova.
Kuvendi i 19 Vjetor i Anëtareve të RrGK-së u financua nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), Fondacioni Kvinna till Kvinna, si dhe Sigrid Rausing Trust.
Kurse, përgjatë gjithë vitit përpjekjet e RrGK-së për barazi gjinore janë mbështetur edhe nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), si dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.