RrGGK: Gaxherrit duhet ti vijë turp
Prishtinë, 27 tetor - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës konsideron se Gaxherrit, si një grua deputete, duhet ti vijë turp që toleron, në vend se të dënojë fjalorin diskriminues të përdorur ndaj grave në parlament.
Në një emision televiziv, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri tha që fjalët e përdorura nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën parlamentare të së premtes mbrëma mund të falen pasi që ai është burrë.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës konsideron se Gaxherrit, si një grua deputete, duhet ti vijë turp që toleron, në vend se të dënojë fjalorin diskriminues të përdorur ndaj grave në parlament.
Së pari, z. Veseli ka shkelur Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilën ai e ka për detyrë ta zbatojë në pajtim me Nenin 41. Në vend që të sigurohet për mbajtjen e rendit, ai bëri sjellje të pahijshme dhe të patolerueshme, përdori gjuhë jo-parlamentare dhe më saktësisht përdori gjuhë ofenduese ndaj grave. Më tutje, ai ka shkelur Ligjin kundër Diskriminimit (2015) dhe më specifikisht Ligjin për Barazi Gjinore (2015) duke shkaktuar diskriminim gjinor: kur një individ trajtohet në mënyrë më pak të favorshme për shkak të gjinisë, thuhet në reagimin e RrGGK-së.
Ky rrjet i grave konsideron se Gaxherri, duke arsyetuar veprimet e tij sepse ai është burrë, ka pranuar përfshirjen e Veselit në diskriminim të drejtpërdrejtë gjinor, duke shkelur kështu ligjet e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Së dyti, tolerimi i sjelljes diskriminuese të burrave, bën që sjellja e tillë të vazhdojë duke e konsideruar atë si të pranueshme. Si një grua deputete, zn. Gaxherri ka një përgjegjësi edhe më të madhe që të dënojë diskriminimin gjinor kurdo që shfaqet. Me tolerimin e deklaratës së tij, ajo po nënvlerëson edhe aftësitë e veta dhe të grave të tjera për të udhëhequr, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për përhapjen e diskriminimit gjinor që nënvlerëson pozitën e grave si udhëheqëse politike, theksohet më tej në reagimin e RrGGK-së.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të përcjellin Rregulloren e Kuvendit dhe të zbatojnë ligjet e Kosovës, duke mos përdorur fjalor diskriminues apo duke mos përkrahur personat që e bëjnë një gjë të tillë.
Më tutje, RrGGK ka inkurajuar fuqishëm Grupin e Grave Deputete që të dalin me një reagim publik kundër diskriminimit gjinor dhe çfarëdo lloji të justifikimit të diskriminimeve të tilla gjinore që shkelin ligjet e Kosovës.
Nëse Grupi i Grave Deputete nuk reagon, atëherë me mosreagimin e tyre ato tolerojnë diskriminimin gjinor, që nënvlerëson pozitën e tyre si gra udhëheqëse, si dhe mundësitë që gratë të udhëheqin në të ardhmen, përfundon reagimi i RrGGK-së.