RrGGK dënon gjuhën e urrejtjes të përdour nga Jabllanoviq
Prishtinë, 16 janar - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) dënon rëndë përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga Aleksander Jabllanoviq, Ministër për Kthim dhe Komunitete në Republikën e Kosovës, ndaj qytetarëve të vendit.
Përveq gjuhës së urrejtjes, ai publikisht mohoi shtetësinë e Republikës së Kosovës, duke iu referuar asaj si Kosovë dhe Metohi.
Me 6 janar 2015, me rastin e ardhjes së pelegrinëve serb për të vizituar kishën ortodokse në Gjakovë për krishtlindjet ortodokse, qytetarët e Gjakovës organizuan protestë në kundërshtim të kësaj vizite, pasi që mendohet se disa nga këta pelegrinë janë përgjegjës për krime lufte të kryera në këtë qytet.
Pasi kjo vizitë u pamundësua nga kjo protestë, të njëjtit pelegrin vazhduan vizitën në manastirin e Zoqishtit të Rahovecit, me çrast z. Jabllanoviq i quajti protestuesit gjakovarë egërsira.
Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t\'i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga Ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi. Kthimi i serbëve në Kosovë duhet të përcillet me sigurinë e tyre nga ana e qeverisë së Kosovës dhe Metohisë, ka thënë ai.
RrGGK e njeh ushtrimin e të drejtës fetare, njëjtë sikur edhe të drejtën e protestës dhe paknaqësisë që shprehet në mënyrë demokratike, e drejtë kjo e cila iu garantohet qytetarëve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjuha e urrejtjes e përdorur nga z. Jabllanoviq dhe mosnjohja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, paraqesin shkelje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës.
RrGGK gjithashtu përkrahë shoqatën Thirrjet e Nënave, të cilat me të drejtë vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve edhe 16 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë. Për më shumë çështja e të pagjeturve duhet të jetë e panegociueshme në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Andaj, RrGGK kërkon nga qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të reagoj dhe të ndërmarrë masa në përputhje me ligjin.