20 Janar 2025

Robertson shprehu përkrahje të mëtejshme për Kosovën

Prishtinë, 19 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin Xhorxh Robertson.

Kryeministri Mustafa gjatë takimit, shprehu mirënjohjen e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.

Kryeministri Mustafa theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA dhe Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Lordi Xhorxh Robertson.

“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi Xhorxh Robertson”, theksoi kryeministri.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar Lordin Robertson për progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime evropiane si dhe për forcimin e gjithanshëm të shtetit.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera të BE-së, si dhe për vendosmërinë e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi Xhorxh Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.

Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike.

Lordi Xhorxh Robertson, po ashtu, shprehu përkrahje të mëtejshme për progresin në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)