Ristiç: Serbët të bojkotojnë dokumentat RKS
Mitrovicë, 9 mars - Të ashtuquajturit përfaqësues të komunave veriore të Kosovës, të populluara me shumicë serbe, u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos pajisen me targa dhe dokumentat e lëshuara nga institucionet e Kosovës.
Sipas Vesti Online, ata kanë thënë se nuk mjafton deklarimi me referendum kundër pranimit të institucioneve të Kosovës, por sipas tyre, duhet refuzuar edhe paratë dhe të mirat e tjera materiale që vijnë nga këto institucione.
Kryetari jolegjitim i Zubin Potokut, Sllavisa Ristiç, ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, ka vështirësuar jetën e serbëve të Kosovës, sidomos pjesa që ka të bëjë me pranimin e shtetësisë kosovare.
Ristiç ka thënë se serbët e Kosovës duhet të mbajnë target që kanë, dhe të mos e shesin interesin kombëtar për 45 euro që duhet të paguajnë në pikat e kalimit kufitar.