Rikthimi në Evropë, aspiratë e përbashkët Kosovë - Shqipëri
Tiranë, 12 nëntor - Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, ka filluar vizitën zyrtare në Tiranë, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.
Fillimisht, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim me homologun Edmond Panariti, gjatë të cilit ka falënderuar shtetin shqiptar për mbështetjen që i ka dhënë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Takimi i sotshëm në nivel të ministrave të dy shteteve tona, është dëshmia më e mirë që pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim edhe pavarësisë së Shqipërisë, i ka dhënë kuptim edhe 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, tha Hoxhaj.
Ai po ashtu ka theksuar se si dy shtete të pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë synojnë integrimin në strukturat euroatlantike.
Ne kemi vetëm një agjendë, ajo është agjenda e rikthimit tonë në Evropë. Në rastin e Shqipërisë ky rikthim ndodh përmes dhënies së statusit kandidat, në rastin e Kosovës ky rikthim ndodh përmes nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asocim, ka theksuar Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka vlerësuar mbështetjen e shtetit shqiptar në fushën e integrimeve evropiane.
Ne synojmë liberalizimin e vizave ku Shqipëria ka një përvojë shumë të mirë dhe presim mbështetjen e shtetit shqiptar në këtë proces, tha Hoxhaj, duke falënderuar Panaritin për mbështetjen që po jep Shqipëria në proceset e gjithëmbarshëm integrues të Kosovë në BE por edhe n mekanizmat e tjerë rajonal e ndërkombëtar.
Hoxhaj ka veçuar po ashtu përkrahjen e madhe që Shqipëria po jep në procesin e sigurimit të njohjeve të reja për Kosovën.
Ndërkaq, temë tjetër e bisedës ndërmjet dy ministrave ka qenë edhe intensifikimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve.
Në këtë aspekt, ministri Hoxhaj ka shprehur zotimin e përbashkët për shkëmbime edhe më të mëdha ekonomike ndërmjet dy shteteve.
Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Edmond Panariti, ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për progresin që ka zhvilluar Republika e Kosovës lidhur me përmbylljen e suksesshme të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë si dhe me marrjen e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e asocim-stabilizimit nga Komisioni Evropian.
Duke iu referuar mesazheve të dhëna dhjetë ditë më parë në Prishtinë nga sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe shefja e diplomacisë evropiane, baronesha Ashton, Panariti, theksoi se këto janë dëshmi e qartë dhe kuptimplote se në rrugën pa kthim të Kosovës drejt Bashkimit Evropian, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pengesë.
Ai po ashtu vlerësoi se vizita e ministrit Hoxhaj në Tiranë është dëshmia më e qartë e intensitetit dhe dinamizimit të marrëdhënieve të gjithanshme që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona.
Ministri Panariti ka folur edhe për trendin gjithnjë e në rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, gjë që, sipas tij, shprehet me një pesëfishim të volumit ekonomik tregtar ndërmjet dy shteteve.
Dy ministrat po ashtu kanë diskutuar për intensifikimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit diplomatik, në sferën politike dhe njëkohësisht në sferën e shtimit të njohjeve të reja për Kosovën.
Në këtë aspekt, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, tha se intensifikimi i aktiviteteve nga Kosova dhe Shqipëria do të rezultojë me zgjerimin e hartës së njohjeve në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm.
Panariti dhe Hoxhaj kanë diskutuar dhe për një bashkëpunim edhe më intensiv ndërmjet dy shteteve në kuadër të mekanizmave rajonal ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.