Rikonfirmohet përkrahja e Estonisë për agjendën evropiane të Kosovës
Prishtinë, 1 qershor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, ka zhvilluar sot një takim virtual me homologen e saj estoneze, ministren Eva-Maria Liimets.
Ministrja Gërvalla ka falënderuar ministren Liimets, për bashkëpunimin dhe përkrahjen që Estonia i ka ofruar Kosovës në sfera të ndryshme.
Palët kanë vlerësuar se raportet mes të dyja vendeve janë shumë të mira dhe kanë konsideruar që duhet të thellohet bashkëpunimi bilateral dhe shkëmbimi i përvojave.
Ministrja Gërvalla ka njoftuar homologen e saj me prioritetet e Qeverisë së Kosovës. “Prioritet i Qeverisë sonë është forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit, sigurimi i vendeve të reja të punës, reformat në ekonomi, arsim e shëndetësi”, ka nënvizuar ndër të tjera ajo.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Estonisë ka ritheksuar qëndrim mbështetës të shtetit të saj karshi Kosovës. Sipas saj, Estonia do ta përkrah rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.