Rikallo: Nuk kisha probleme me shqiptarët,
Në një kumtesë të shprëndarë për mediet, ai ka mohuar se ka pasur marrëdhënie tëkëqija me fqinjët e tij.
“Deri në vitin 1999 kam luajtur basketboll, kam studiuar dhe kam bërë një jetë të qetë në Prishtinë. Asnjëherë me asnjërin prej fqinjëve nuk jam fjalosur apo hyrë në konflikt. Tani po e shoh se disa prej tyre nuk më paskan pëlqyer edhe aq, por besoj se me shumicën kam pasur respekt”.
Ai ka treguar se qysh prej përfundimit të luftës është përfshirë në projekte për pajtimin mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë, duke qenë anëtar i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën si dhe intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina.
“Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ma konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin”, ka thënë Rikallo në reagimin e tij.
Në vazhdim, ministri serb ka theksuar se publiku duhet t’i dijë të gjitha detajet e angazhimit të tij publik, duke e quajtur fushatën si krejtësisht të ‘natyrës politike dhe se qëllimi i saj është diskredimimi im dhe rrëzimi i qeverisë’.
“Fushata e rrejshme që po udhëhiqet kundër meje dhe familjes time është e bazuar tërësisht në informata të pasakta. Dy fakte janë të rëndësishme, vëllai im nuk ka jetuar dhe nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, babai im është pensionuar në vitin 1996 pasi që i ka mbijetuar dy infarkteve. Ata që e udhëheqin këtë fushatë, mund lirisht të vazhdojnë edhe më tej të trillojnë gënjeshtra për ta, por për këtë ekzistojnë prova të padiskutueshme. Z. Zemaj deputet në Parlamentin e Kosovës, e ka gënjyer publikun kur ka shfaqur fotografinë e supozuar të vëllait tim, ku nuk gjendet ai dhe është pjesë e fushatës së qëllimshme të manipulimit të publikut”, ka thënë ministri Rikallo.