Riinvest: Korrupsioni tek politikanët dhe gjyqtarët është në rritje
Prishtinë, 1 dhjetor - Në konferencën për media të thirrur nga Instituti Riinvest Qeverisja e Hapur në Kosovë 2014, janë prezantuar gjetjet nga raporti Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-Lindore, të dala nga sondazhi i realizuar nga ekipi hulumtues i Institutit Riinvest, me 1000 qytetarë nga mbarë Kosova.
Gjetjet e raportit dhe përgjigje në pyetjet si cilat janë pikëpamjet e qytetarëve lidhur me transparencën, korrupsionin, llogaridhënien, participimin e tyre në politika publike, janë shpalosur nga hulumtuesit e avancuar në Institutin Riinvest, z. Premton Hyseni dhe z. Agon Nixha.
Ekipi hulumtues i Institutit Riinvest përgjatë punës kërkimore vlerësoi se reformat e qeverisjes dhe politikat anti-korrupsion nuk janë konsoliduar. Për më tepër korrupsioni tek politikanët e zgjedhur dhe gjyqtarët është në rritje, dhe zbatimi i legjislaturës anti-korrupsion është jo i rregullte.
Ndërkohë sa i përket besimit të qytetarëve në institucione, Agon Nixha, Hulumtues i Avancuar në Institutin Riinvest, deklaroi se Qytetarët e Kosovës më së shumti ju besojnë institucioneve ndërkombëtare, si KFOR-i dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa më së paku ju besojnë shtyllave kryesore të pushtetit vendor, ku hyjnë Kuvendi i Kosovës, Presidenca, Gjyqësori, Qeveria e Kosovës dhe Partitë Politike. (citat)
Nga të gjeturat e dala nga raporti Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-Lindore, është konstatuar që zgjidhja e sfidës së korrupsionit në rajon do të kërkonte përpjekje të qëndrueshme në shumë fronte, duke përfshirë pjesëmarrjen e të gjithë grupeve lokale dhe ndërkombëtare në periudhë afatgjate. Për më tepër, si rekomandime kyçe ndër të tjera janë theksuar: ndjekja penale efektive e politikanëve dhe shërbyesve civil të nivelit të lartë të korruptuar dhe futja e një mekanizmi monitorues dhe i pavarur anti-korrupsion.
Studimi Korrupsioni dhe Anti-Korrupsioni në Evropën Jug-Lindore i realizuar nga Instituti Riinvest, është pjesë e nismës rajonale SELDI (Iniciativa për Zhvillim dhe Integritet në Evropën Juglindore), nismë kjo e cila ka për qëllim diagnostikimin e korrupsionit dhe boshllëkut të qeverisjes në rajon, si parakusht për avokim në politika anti-korrupsion.