Riintegrimi i personave të riatdhesuar prioritet për Kosovën
Prishtinë, 22 korrik - Ministria e Integrimit Europian sot organizoi takimin e tretë me radhë të nivelit më të lartë politik me Kryetarët e Komunave mbi obligimet e Komunave në implementimin e kornizës ligjore dhe strategjike për ri-integrimin e shtetasve të riatdhesuar.
Sikur në takimet e mëparshme, edhe në këtë takim mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi. Në takim mori pjesë edhe z. Kjartan Björnsson, U.D. i të Ngarkuarit me Punë në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Kosovë dhe kryetar të komunave të Republikës së Kosovës.
Në hapjen e shkurtër të takimit, Ministrja Çitaku sqaroi se qëllimi është informimi i ndërsjellë në mes të nivelit qendror dhe lokal mbi përparimin e arritur nga Komunat në ri-integrimin e shtetasve të riatdhesuar që nga takimi i kaluar dhe përgatitjet për misionin e ardhshëm vlerësues të Komisionit Europian dhe Shteteve Anëtarë të BE-së në këtë fushë, të planifikuar për fillimin e shtatorit.
Pas kësaj, Kryeministri Thaçi theksoi se pritet që ky mision do ti kushtojë vëmendje të veçantë vlerësimit të përmbushjes së obligimeve që dalin nga procesi i ri-integrimit në nivelin komunal përmes vizitave të paparalajmëruara, prandaj u bëri thirrje Kryetarëve të Komunave që ata dhe i tërë stafi i tyre relevant të jenë të përgatitur profesionalisht si dhe të jenë të gatshëm të ofrojnë të gjithë informatat e kërkuara në fusha tashmë të njohura që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve publike.
Kjo pasi që është e domosdoshme që të sigurohet një vlerësim sa më pozitiv nga KE, i cili do të jetë kyc vendimin e BE-së në lidhje me fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Në fund, Kryeministri Thaçi theksoi se është shumë me rëndësi që Komunat të bëjnë progres të dukshëm në planifikimin e nevojave për ri-integrim që do të mund të mbështeteshin nga Fondi për Ri-integrim dhe burime të tjera financiare, si dhe në aktivitete të vetëdijesimit.
Nga ana e tyre, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe i Komunës së Ferizajt, z. Xhemajli, ai i Komunë së Prishtinës, z. Isa Mustafa, dhe ai i Komunës së Gjakovës, z. Pal Lekaj, dhanë një pasqyrë të shkurtër të progresit të arritur deri më tani në përmbushjen e obligimeve të Komunave të tyre që dalin nga ky proces, si dhe të nevojave e sfidave me të cilat përballen.
Ata gjithashtu theksuan se do të sigurojnë kryerjen me sukses të obligimeve të tyre gjatë vizitave vlerësuese të KE-së, krahas kryerjes së obligimeve të zakonshme ndaj institucioneve të nivelit qendror.