30 Prill 2024

Riformatimi i Qeverisë mund të ndodhë në shtator ose tetor

Prishtinë, 18 qershor - Disa nga ministrat aktualë në kabinetin qeveritar “Thaçi II” e mirëpresin riformatizimin e kabinetit qeverisës. Njëri nga ministrat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri, ka thënë për “Epokën e re” se i mirëpret ndryshimet në kabinetin qeveritar.

“Neve ende asnjë informacion nuk na ka ardhur nga kryeministri për riformatizim të kabinetit qeveritar, që nënkupton ndërrimin e ministrave. Në bazë të asaj që kemi lexuar në medie, por edhe nga disa kolegë në parti, po flitet se do të ketë riformatizim të kabinetit qeverisës në muajin shtator apo eventualisht në tetor. Unë do ta mirëpres një proces të tillë”, ka thënë ky ministër.

Ky ministër ka treguar arsyen se pse është i nevojshëm ‘freskimi’ i kabinetit qeveritar me emra të rinj ministrash. “Çdo kryeministër ka dëshirë të ketë performancë të mirë të qeverisjes, në këtë rast edhe z. Thaçi besoj se e ka këtë dëshirë. Secili prej nesh kur ka pranuar ta marrë detyrën e ministrit, besoj se e ka ditur se karrigen s’mund ta mbajë me ‘tapi’”, ka thënë i njëjti ministër, duke propozuar në shaka edhe disa kritere pse nuk duhet të insistojë askush në shumë mandate të zërë karrigen e ministrit.

“Nëse një ministër e kryen një mandat mirë ose keq, nuk është reale të kërkojë edhe një mandat të dytë, sepse atëherë nuk është diçka në rregull me të, pra duhet të kontrollohet te mjeku. Po nëse kërkon mandatin e tretë si ministër, mos vetë, duhet me e çu në burg. Prandaj, riformatizimi i kabinetit qeverisës nuk është diçka i dhimbshëm, përkundrazi duhet të kuptohet si diçka i mirë. Nëse do të hapet kjo temë e riformatizimit unë do të jem i pari ministër që do ta ngriti dorën që të zëvendësohem me një të ri. Kjo është demokracia dhe rritja e performancës së punës në qeverisje”, ka thënë ky ministër i PDK-së.

Rimormatizimit të kabinetit qeveritar nuk i frikësohet as partnerja kryesore e PDK-së, AKR-ja. Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, njëherësh edhe ministër i Diasporës në këtë Qeveri, ka thënë për “Epokën e re” se në asnjë rast ky subjekt politik riformatizimin nuk e kupton si diçka dëmtues në prishjen e raporteve me PDK-në.

“Ne do të vlerësonim shumë nëse secili prej nesh që është pjesë e kabinetit qeveritar të bëjë një vlerësim të punës së tij, pra për të shikuar nëse ka ndonjë defekt ose ka nevojë për lëvizje për ta rritur efikasitetin e punës. Në asnjë rast si AKR nuk vlerësojmë se mund të jetë ndonjë proces që dëmton. Megjithatë, kjo është një çështje që i takon kryeministrit Thaçi në radhë të parë si përgjegjës në Qeveri. Në bazë të performancës së punës, secilit ministër veçmas duhet t’i jepet një vlerësim i përgjithshëm nëse ka nevojë për ndonjë lëvizje”, ka thënë ai.


Makolli ka thënë se si parti që janë në koalicion nuk kanë bërë ndonjë vlerësim se a është i nevojshëm ndërrimi edhe i ministrave të Koalicionit për Kosovë të Re, ku janë të përfshira edhe partia e Ferid Aganit dhe ajo e Agim Çekut. “Ne nuk kemi bërë ndonjë vlerësim, por nëse ka nevojë për të bërë ndonjë rivlerësim të performancës të secilit ministër veçmas edhe si parti politike, por edhe si pjesë e qeverisë, po flas për ministrat tanë, jemi të gatshëm për diçka të tillë”, është shprehur Makolli.


Ai ka thënë se AKR-ja vlerëson se ministrat e saj deri më tani kanë bërë punë të mirë, duke treguar progres në qeverisje. “Ne vlerësojmë që dikasteret të cilat janë udhëhequr nga Koalicioni për Kosovë të Re kanë treguar progres të mirë të punës në këtë qeverisje. Natyrisht se kemi parasysh se mund të bëhet më tepër në secilin dikaster. Megjithatë, vlerësoj se janë arritur të priturat”, ka thënë Makolli.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)