Ridizajnohet koalicioni LDK-AAK në Kamenicë
Kamenicë, 24 tetor - LDK dhe AAK kanë arritur marrëveshje për ridizajnim të koalicionit qeverisës në Kamenicë, pas krizës së krijuar me largimin e drejtorit të Urbanizmit Ilir Kastrati.
Pas një jave krize në bashkëqeverisje, Lidhja Demokratik e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar që të vazhdojnë koalicionin në Kamenicë por me një ridizajnim të marrëveshjes.
Kriza e koalicionit LDK-AAK në Kamenicë u shfaq javën e kaluar kur kryetari Shaip Surdulli shkarkoi nga detyra Ilir Kastratin, drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ky vendim i kryetarit Surdulli nxiti strukturat e AAK-së që të rishqyrtojnë të martën (sot) pozicionin e saj në koalicion, pasi u ndien të keqtrajtuar nga Surdulli të cilit i ndihmuan që të zgjedhet kryetar në zgjedhjet e fundit lokale.
Por duke analizuar gjithë situatën dhe bashkëpunimin e deritashëm, Kryesia e AAK-së vendosi që të vazhdojë qëndrimin në koalicion, por me një marrëveshje të re me LDK-në.
Duke u mbështetur në punën që e ka bërë AAK dhe aktivistët e saj për të siguruar votat e mbështetësve të AAK-së për ti fituar zgjedhjet e fundit komunale në Kamenicë kryetari i LDK-së Shaip Surdulli; Duke llogaritur punën e suksesshme të të gjithë përfaqësuesve të AAK-së në qeverisjen komunale; Duke parë nevojat e qytetarëve të Kamenicës dhe përgjegjësitë që kemi marrë para tyre në zgjedhjet e fundit komunale; Kryesia e Degës së AAK-së vlerëson se edhe përkundër faktit se partneri i koalicionit, LDK nuk iu ka përmbajtur të gjitha premtimeve për ndarje të barabartë të përgjegjësive në qeverisje, AAK nuk mendon se duhet të dalë nga koalicioni duke ua kthyer shpinën votuesve të saj dhe gjithë qytetarëve të Komunës sonë, meqenëse AAK-së iu ka besuar vota pikërisht për të qenë pjesë e qeverisë komunale, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kryetari i AAK-së në Kamenicë Lulzim Leci.
I kontaktuar nga KosovaTimes.net Leci ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes së re me LDK-në në Kamenicë.
AAK ka propozuar që Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor tani e tutje të udhëhiqet nga një drejtor i LDK-së ndërsa AAK si pjesë e koalicionit qeverisës ta marrë nën udhëheqje një drejtori tjetër. Ditëve në vijim bashkë me kryetarin e Komunës do të merremi vesh cilën drejtori do ta udhëheqë AAK, ka thënë Leci për KosovaTimes.
Pajtimin mes partnerëve të koalicionit e ka konfirmuar edhe kreu i LDK-së dhe i Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli.
Po sot kemi rënë dakord që tash e tutje drejtorinë e Urbanizmit ta udhëheqë një drejtor nga LDK ndërsa AAK ta marrë një drejtori tjetër. Por se cila do të jetë ajo drejtori, mbetet të dihet ditëve në vijim pasi që për këtë çështje duhet ta konsultojmë Kryesinë e LDK-së në një mbledhje që do ta thërras së shpejti, ka thënë për KosovaTimes.net Surdulli.
Ndryshe siç ka mësuar KosovaTimes, drejtori i shkarkuar Ilir Kastrati do të vazhdojë të punoj në profesionin e tij në kuadër të drejtorisë që e ka udhëhequr deri tani.
Ajo çfarë mbetet të shihet është nëse drejtori i ri që do të vij nga LDK do të pajtohet me kryetarin Surdulli për lëshimin e lejes për ndërtim të një objekti afarist biznesor për bashkësinë Islame të Kamenicës në parkun e qytetit.