Riatdhesohen mbetjet mortore të 12 personave
Prishtinë, 13 tetor - Në pikë kalimin kufitar në Merdarë, janë riatdhesuar mbetjet mortore të 12 personave të identifikuar, nga mbetjet mortore të zhvarrosura nga varreza masive në Rudnicë, të Rashkës (Serbi).
Riatdhesimi, për në Republikën e Kosovës, përmes EULEX-it, nga Serbia, është bërë në prani të familjarëve dhe me nderime nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, pas nderimeve që bëri, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu shprehu ngushëllime të gjithë familjarëve, dhe theksoi se institucionet e Kosovës kanë gjetur mënyrën për të zbardhur këtë të vërtetë tragjike dhe për të sjellë në vendlindje të identifikuarit
Varreza masive në Rudnicë të Rashkës është njëra prej rasteve më tragjike, një prej rasteve ku politika gjenocidale dhe gjenocidi i Serbisë ndaj shqiptarëve dhe popullit të Kosovës në periudhën e luftës, u tregua i dyfishtë. E para, sepse gjenocidi rezultoi në vrasjen masive të shqiptarëve. Por, rasti i Rudnicës është i dyfishtë, sepse me këtë varrezë masive Serbia tentoi që ti shlyejë të gjitha gjurmët, madje duke ndërtuar edhe një ndërtesë me emër provokativ për të provuar që të shlyhet edhe historia ka theksuar zëvendëskryeministrja.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, ka theksuar se është në përfundim edhe kjo fazë e kthimit të të gjithë atyre mbetjeve mortore, që u identifikuan me rastin e gërmimeve në Rashkë. Po ashtu, njoftojë familjarët që rasti i Rashkës, nuk ka përfunduar dhe presim fillimin e vlerësimeve edhe të pikave tjera si lokacione të dyshuara në rajonin e Rashkës.
Nga ana e tyre, familjarët falënderuan institucionet për punën e tyre në identifikimin dhe sjelljen e familjarëve të tyre në Kosovë.
I falënderoj institucionet tona që kanë punuar për ti pritur këta familjarë tonë, për ti përcjellë në varreza, se na kanë mbetur varret çelë deri sot. Ju shprehi ngushëllime vëllezërve dhe motrave. Kemi vuajtur shumë. Dihet kush është fajtor e kush është krimineli dhe ne edhe pas 15 viteve spo arrijmë ti gjejmë familjarët tanë ka thënë Hajriz Zabeli, familjar nga Rezalla, komuna e Skenderajt.
Familjari Dan Morina nga Çikatova e Vjetër, komuna e Drenasit ka kërkuar gjetjen e fajtorit për këto vrasje.
Ju bëj apel të gjithë faktorit ndërkombëtar dhe vendor të cilët kanë ndikim tek Serbia, që të gjendet fajtori për vrasjen e këtyre të pafajshmëve, të njerëzve që janë vrarë duke mbrojtur fëmijët e tyre, pragun e tyre ka theksuar ai.
Deri më tani nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rudnicë të Rashkës, janë identifikuar dhe riatdhesuar mbetjet mortore të 52 personave, viktima të luftës së fundit në Kosovë.
Së bashku me mbetjet mortore të 12 personave, sot janë pranuar edhe një numër i konsiderueshëm i pjesëve kockore, në kuadër të procesit të ribashkimit si dhe disa mbetje mortore, mostrat e të cilave janë në proces të identifikimit ndërsa rezultatet e tyre priten, nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, në ditët dhe javët në vijim.
Po sot, institucionet e Republikës së Kosovës përmes EULEX-it i kanë dorëzuar autoriteteve të Serbisë dhe familjarëve të personave të zhdukur, mbetjet mortore të tre personave të identifikuar, të përkatësisë etnike serbe.
Pas identifikimeve të fundit, në Kosovë mbesin të evidentuar si të zhdukur të luftës, edhe 1659 persona.