Rexhepi: Urdhërarrestet nuk janë lojë, janë vepër penale
Prishtinë, 28 gusht - Për ministrin e Punëve të Brendshme,Bajrami Rexhepi, shpërndarja e urdhër-arresteve ndaj kryeministrit Hashim Thaçi dhe tre ministrave të qeverisë nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është ndonjë lojë por është kryekëput vepër penale.
Nuk është lojë. Për mua është vepër penale dhe kemi kërkuar nga kryeprokurori ti shqyrtojë çështjet dhe të ngritet akuza ndaj tyre për vepër penale, ka thënë Rexhepi.
Duke folur për çështje të tjera si hetimi i vrasjeve në veriun e Kosovës, siç është ai i Selver Haradinajt, Rexhepi ka thënë se motivi ndëretnik në këtë vrasje është i përjashtuar.
Ndërkaq, duke folur për çështjen e veriut të Kosovës, ai ka thënë se çështja do të zgjidhet me qytetarët e veriut, pasi është çështje e brendshme e Kosovës.
Rexhepi ka thënë se duhet një unitet politik për interesat e vendit, duke iu referuar zërave të fundit për koalicion të mundshëm me AAK-në.
Për Kosovën mund të jetë një koalicion pak më i stabilizuar, ka thënë veç të tjerash Rexhepi.