Rexhepi kërkoi nga Gjermania përkrahje për liberalizmin e vizave
Prishtinë, 4 maj - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti në Kabinetin e tij, Sekretarin e shtetit të Ministrisë se Punëve të Brendshme të Republikës Federale të Gjermanisë, Ole Schroeder.
Gjatë takimit, ministri Rexhepi shpalosi prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat dalin nga Programi qeveritar dhe agjenda evropiane, me theks të veçantë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe liberalizimin e vizave me BE-në.
Në këtë takim u trajtuan edhe tema të përbashkëta të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në luftimin e migrimit ilegal dhe azilit. Gjithashtu u bisedua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve për luftimin e përbashkët kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe dukurive tjera negative.
Po ashtu, ministri Rexhepi kërkoi përkrahje të palës gjermane në procesin e liberalizmit të vizave dhe integrimit evropian.
Ndërsa Sekretari gjerman, Ole Schroeder premtoi se Gjermania edhe më tutje do të vazhdojë të të përkrahë Qeverinë e Republikës së Kosovës.