Rexhepi: Florini e ka mendjen e sëmurë
Prishtinë, 10 nëntor - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, i cili një ditë më parë e ka akuzuar atë se është pjesëtar i SHIK-ut.
Ministri Rexhepi ka thënë për gazetën Epoka e Re, se akuzuat e Krasniqit nuk qëndrojnë. Madje, ministri Rexhepi, duke mos dashur ti komentojë deklaratat e deputetit Krasniqi, e ka quajtur atë njeri me mendje të sëmurë.
Nuk dëshiroj të merrem fare me atë njeri. Nuk dëshiroj ti komentoj deklaratat e një njeriu me mendje të sëmurë. Ai njeri e ka mendjen e sëmurë, ka thënë Rexhepi.
Po ashtu, ministri i Punëve të Brendshme e ka hedhur poshtë akuzën e Krasniqit, duke thënë se asnjëherë nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut. Rexhepi ka thënë se opinioni e di se asnjëherë nuk ka pasur lidhje me SHIK-un, madje as që i ka interesuar puna e këtij shërbimi.
Të martën deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi në emisionin Interaktiv të KTV-së, duke e komentuar deklaratën e ministrit Rexhepi i cili kohë më parë ka thënë se mund ta mbajë Lëvizjen Vetëvendosje në xhepin e vogël, ka deklaruar se Rexhepi është pjesë e strukturave paralele të sigurisë dhe me këto struktura mundohet të tregohet i fortë.