Revitalizimi i urës së Mitrovicës shtyhet për maksimalisht 48 orë
Prishtinë, 15 tetor - Bashkimi Evropian do ta shtyjë për maksimalisht 48 orë fillimin e revitalizimit të urës në Mitrovicë dhe hapësirën përreth saj, e planifikuar për të filluar sot, për t'ju dhënë të gjitha palëve kohë shtesë për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme.
Kjo shtyrje e shkurtër duhet të mundësojë përmbylljen e diskutimeve rreth Memorandumit të Mirëkuptimit mbi kufijtë komunal në mes të komunave Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore.
BE-ja është e përkushtuar për arritjen e një koncensusi mes të gjitha palëve para fillimit të punimeve në mënyrë që revitalizimi të bëhet qetësisht në interes të qytetarëve.
Zyra e BE-së në Kosovë / Përfaqësuesi Special i BE-së do të mbajë publikun në Kosovë të informuar lidhur me hapat e ardhshëm në lidhje me rivitalizimin e urës së Mitrovicës.
Rivitalizimi i urës në Mitrovicë është paraparë me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes e arritur më 25 gusht 2015 në mes të Prishtinës dhe Beogradit.