Reuters: Thaçit po i bie popullariteti
Londër, 5 qershor - Agjencia e lajmeve Reuters në një shkrim për zgjedhjet në Kosovë, shkruan se përveç kokëçarjeve me akuzat për krime lufte kryeministri në detyrë Hashim Thaçi po ballafaqohet edhe me rënie të popullaritetit.
Popullariteti i Thaçit ka pësuar goditje pas rritjes së frustrimeve tek shqiptarët e Kosovës për shkak të korrupsionit të përhapur, nepotizmit dhe varfërisë edhe pas 6 vjetëve të qeverisjes së PDK-së, shkruan Reuters.
Kjo agjenci prestigjioze e lajmeve thotë se Thaçi i është kundërvënë kësaj duke rritur pagat vetëm dy muaj para zgjedhjeve për 25 përqind të sektorit publikë.
Reuters shkruan se Thaçi po përpiqet të fitojë mandatin e tretë si kryeministër, por vetëbesimi që po e shfaq, po venitet nga presioni i rivalëve politikë dhe hetimet për krime lufte që kërcënojnë tia kapin ish shokët e tij të luftës e madje edhe aleatët më të ngushtë.
Sipas Reuters, kushdo që fiton të dielën vëmendja do të kthehet tek Tribunali i Bashkimit Europian që do ti gjykojë ata që janë përgjegjës për trafikim organesh të serbëve të burgosur gjatë konfliktit më 1998 -99.
Reuters ka cituar një diplomat perëndimor i cili ka thënë se të gjeturat e Taskë Forcës së BEsë do të publikohen para verës. (INA)