02 Maj 2024

"Reuters": Negociata të vështira për koalicion në Kosovë

Prishtinë, 1 shkurt - Kosova po përballet me vështirësi në kërkim të një qeverie të qëndrueshme, në një kohë që bisedimet jozyrtare mes partnerëve të mundshëm të koalicionit kanë filluar që prej shtatë javësh.

Agjencia “Reuters” shkruan se PDK-ja e kryeministrit në largim Hashim Thaçi ka fituar 34 vende nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi, bazuar në të dhënat e publikuara të dielën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Situata bllokuese politike ka shtyrë edhe fillimin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, nga e cila vendi shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, shkruan “Reuters”, por është pajtuar për të biseduar për çështje praktike, siç janë çështje ndërkufitare dhe transporti.

“Ne do të presim derisa rezultati të jetë certifikuar dhe të fillojmë bisedimet zyrtare për krijimin e qeverisë së koalicionit, por ne do të kemi edhe takime joformale me partitë e tjera në ditët që do të vijnë”, ka thënë për “Reuters” Memli Krasniqi, anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Por, pjesa dërmuese e partive të mëdha, sipas agjencisë “Reuters”, kanë deklaruar publikisht se nuk do të qeverisin me Hashim Thaçin, të cilin e fajësojnë për nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit dhe për varfërinë ekonomike të shtetit.

Disa parti deklaruan se Thaçin e duan jashtë çdo koalicioni të ardhshëm të mundshëm qeveritar, edhe nëse partia e tij qëndron.

 “Ne na duhet një koalicion që qëllim do të ketë stabilizimin e shtetit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bisedimet e mundshme me Serbinë dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor”, thotë Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, e cila ka siguruar 12 vende në Kuvend.

Një zyrtar tjetër nga opozita ka deklaruar për “Reuters”, se vetëm koalicion i gjerë me partitë më të mëdha mund të shpëtojë vendin. Partia e dytë dhe e tretë që janë më të fuqishmet – LDK-ja me 27 vende në Kuvend dhe lëvizja “Vetëvendosje” me 14 deputetë - janë shprehur se nuk do të qeverisin me Thaçin.

Agjencia raporton se deri më tani vetëm Aleanca për Kosovën e Re me tetë ulëse në Kuvend dhe shumica prej 25 deputetëve nga minoritetet, përfshirë edhe partitë politike serbe, kanë deklaruar se janë të gatshëm të hyjnë ne qeverinë e Thaçit.

“Edhe pse Thaçi është i papëlqyeshëm me opozitën, reputacioni i tij nuk është dëmtuar nga një raport i Këshillit të Evropës që akuzoi pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) besnikë ndaj tij, për rrëmbime në Kosovë, armë dhe trafikim droge si dhe trafikimin e organeve njerëzore të serbëve etnikë në vitet 1999-2000. Misioni i BE-së në Kosovë ka filluar hetimet në lidhje me këto dyshime. Ambasadorët perëndimorë kanë deklaruar më herët para disa ditëve se qeveria e re nuk duhet të përfshijë persona që janë subjekt i dyshimeve kriminale”, shkruan “Reuters”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)