Respektimi i të drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuara, synim i qeverisë
Prishtinë, 29 qershor - Sot u mbajt takimi i Këshillit Nacional për personat me Aftësi të Kufizuara, ku u diskutua për sfidat dhe të arriturat sa i përket Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.
Në këtë takim, në të cilin u prezantua edhe Raporti i Progresit të këtij Plan Veprimi, morën pjesë zëvendëskryeministri Kujtim Shala, kryesues i Këshillit Nacional mbi Aftësitë e Kufizuara, zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës, Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit dhe përfaqësues të Organizatave Joqeveritare që në fushëveprimtarinë e tyre kanë çështjet e personave me aftësi të kufizuara.
Zëvendëskryeministri Shala u shpreh se ky takim është i rëndësisë së veçantë ngase ka të bëjë me mbrojtjen dhe promovimin e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Këshilli Nacional do të shërben si një mekanizëm i lartë përfaqësues që do të punojë me përkushtim në lehtësimin dhe koordinimin mes Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit dhe OJQ-ve të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Ndër synimet kryesore që ka Qeveria gjatë këtij mandati do të jetë përmirësimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut, si dhe kushteve jetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim, me theks të veçantë për Personat me Aftësi të Kufizuara, tha zëvendëskryeministri Shala, duke shtuar se edhe ky takim i sotëm është një dëshmi e përkushtimit për të përmbushur këtë synim, që Personat me Aftësi të Kufizuara të trajtohen me dinjitet dhe mos të jenë të margjinalizuar.
Ndërkaq, Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, prezantoi raportin për të arriturat dhe sfidat në kuadër të zbatimit të Strategjisë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Nga ana tjetër, Bujar Kadriu, kryetar i Forumit të Aftësisë së Kufizuar, theksoi se takime të këtilla ndikojnë dhe shkaktojnë që të jemi në rrugë të duhur si vend për të respektuar dhe përmbushur të Drejtat për Personat me Aftësi të Kufizuara, në kuadër të standardeve që parashihen edhe me konventa të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së Personave me Aftësi të Kufizuara.
Në këtë takim, u paraqitën edhe puna dhe angazhimet që bëjnë ministritë e linjës, politikat dhe veprimtaria e të cilave prek komunitetin e Personave me Aftësi të Kufizuara.