16 Janar 2025

Republika e Kosovës sot shënon Ditën e Kushtetutës

Prishtinë, 9 prill - Kosova shënon sot Ditën e Kushtetutës së Republikës - 9 Prilli, aktin historik të miratimit të dokumentit më të lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Që nga ajo kohë, drejtues të institucioneve të Kosovës shumë herë kanë rënë ndesh me Kushtetutën, megjithatë veçohet ish presidenti Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe ish ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se presidenti Fatmir Sejdiu e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton “KosovaPress”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrëzuar zgjedhjen e Behgjet Pacollit si President. Sipas organit të drejtësisë, votimi për Pacollin president është anti-kushtetues.

“Gjykata shpall se Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me datë 22 shkurt 2011, është jo kushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Pacolli po ashtu, kishte shkelur Kushtetutën që në minutat e para të marrjes së detyrës, pasi që ai kishte votuar për qeverinë Thaçi duke kryer kështu funksionin e deputetit.

Ndërkaq, ish ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj ka shkelur kushtetutën me zgjedhjen e rektorit themelues të UPZ-së, një shtetasi të huaj, në këtë rast e gjermanit Ronald Moench, i cili do të duhej të ishte të paktën pesë vite banor i Kosovës.

Ndërkohë, në pesëvjetorin e ratifikimit të Kushtetutës, zyrtarët më të lartë shtetëror kanë lëshuar nga një deklaratë për media.

Me këtë rast Presidentja e vendit Atifete Jahjaga ka thënë së miratimi i Kushtetutës përmbledh gjithë sakrificën, punën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra për ndërtimin e shtetit të Kosovës, për liri, pavarësi dhe demokraci, duke trasuar rrugën e zhvillimit dhe të përparimit të vendit.

"Në këtë pesëvjetor të miratimit të Kushtetutës të Republikës së Kosovës po kremtojmë historinë dhe trashëgiminë e vendit tonë që po ndërtohet si një shtet i së drejtës, me garancitë e plota për të gjithë dhe që siguron një të ardhme më të mirë", ka theksuar Jahjaga.

Kosova sipas Jahjages është shtet i të gjithë qytetarëve, një shtet i mundësive por edhe i përgjegjësive e obligimeve të barabarta. Shtrirja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës është garant i zhvillimit demokratik dhe i barabarësisë të të gjithë qytetarëve, dhe është domosdoshmëri për të vënë bazat e shtetit ligjor, të perspektivës afatgjate si dhe ndikon në stabilitetin dhe paqen në rajon.

Edhe Kryeministri, Hashim Thaçi në përvjetorin e pestë të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të Kosovës për t’u bërë entitet i barabartë me kombet e lira dhe sovrane.

"Dita e Kushtetutës është ngjarje e rëndësishme politike, sepse Kosova për herë të parë sanksionoi vullnetin demokratik të qytetarëve të saj, duke shprehur të drejta dhe obligimet e individit dhe të shoqërisë me frymën më të lartë demokratike", ka theksuat Thaçi.

Pesë vjetori i Kushtetutës sipas tij është datë e forcimit të lirisë, e konsolidimit të demokracisë, rritjes së tolerancës, emancipimit dhe zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)