Republika e Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Serbi
Prishtinë, 10 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se emërtimi kushtetues i shtetit do të jetë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.
Ai Ka përsëritur tri herë radhazi këtë, dhe ka theksuar se edhe ndërmjetësja e dialogut Kosovë-Serbi, baronesha Catherine Ashton, tashmë ia ka konfirmuar kryeministrit Hashim Thaçi emërtimin zyrtar të misionit kosovar në fqinjin verior, pjesë e të cilit do të jetë edhe termi Republikë, shkruan sot Koha Ditore.
Unë po ta citoj mënyrën qysh ka ndodhur marrëveshja. Së pari, të dyja palët janë pajtuar dhe baronesha Ashton ia ka konfirmuar kryeministrit Thaçi se titulli i zyrës do të jetë: Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, i ka thënë gazetës ministri Hoxhaj.
Po them çka jemi marrë vesh. Nuk po them që do të jetë ambasadë, por titulli i zyrës është: Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi. Ky do të jetë titulli që do ta ketë zyra, por edhe do të jetë emri zyrtar i cili do të përdoret edhe në vetë zyrën e ambasadorit tonë dhe në të gjitha dokumentet tjera zyrtare.
Në raundin e parafundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, palët e përfaqësuara në nivel kryeministrash janë pajtuar që ta emërojë secili nga një zyrtar ndërlidhës.
Nuk ishin përmendur zyrat, por ishte interpretuar se zyrtar nuk mund të ketë pa zyrë. Ndërkaq, më herët Kosova ka pranuar të përfaqësohet në nivel rajonal jo me emërtimin kushtetues Republika e Kosovës, por me denominimin Kosovo*.