Rekomandohet që të shpallen zgjedhje për kryetar të Mitrovicës së Veriut
Prishtinë, 14 janar - Nën udhëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën miratoi vendime në bazë të kompetencave të saja kushtetuese dhe ligjore.
Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes ka përgëzuar kabinetin qeveritar për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, që u mbajt në Prizren.
Thaçi ka vlerësuar lartë takimin dhe ka kërkuar angazhim në përmbushje dhe implementim të marrëveshjeve të nënshkruara.
Kryeministri Thaçi gjithashtu ka vlerësuar edhe inaugurimin e organeve të zgjedhura në zgjedhjet lokale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Vendimi i parë i miratuar nga kabinetit qeveritar në mbledhjes e sotme, ishte vendimi përfundimtar për shpronësimin me krijimin e të drejtës së servitutit sendor për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i trasesë për vendosjen e tubacioneve të ngrohjes nga Ndërmarrja Publike Ngrohtorja e Qytetit Termokos Sh.A Prishtinë, deri te TC Kosova B në Obiliq.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim, për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cila preken nga ndërtimi i segmentit rrugor që lidhë autostradën Vërmicë-Merdare në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit dhe Rrugën Magjistrale M2.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobaodan Petroviq ka njohur kabinetin qeveritar për përmbylljen e suksesshme të procesit zgjedhor në komunat e veriut të Kosovës.
Ai ka theksuar se procesi i konstituimit të kuvendeve komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është kryer konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Edhe inaugurimi i kryetarëve të komunave në komunat Zveçanë, Leposaviq dhe Zubin Potok ka qenë i rregullt dhe në përputhje me legjislacionin kosovarë.
Zëvendëskryeministri Petroviq ka theksuar se inaugurimi i kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut ka dështuar të bëhet në përputhje me ligjin është rekomanduar që të shpallen zgjedhjet e lira për kryetar të kësaj komune.
Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka informuar për vizitën që delegacioni monitorues i Fondit Monetarë Ndërkombëtar do të zhvillojë në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme në Kosovë.
Ministri Beqaj gjithashtu ka njohur kabinetin për takimin që do të zhvillojë me homologun e tij shqiptar, ku do të diskutohet për implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkëte të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, në Prizren me 11 janar 2014.