Reichel: Kosova afër nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave
Prishtinë, 12 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në një takim të dërguarin e posaçëm gjerman për Evropën Juglindore, ambasadorin Ernst Reichel. Në takim fillimisht u bisedua për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës si pasojë e veprimeve të opozitës.
Ambasadori Reichel me këtë rast theksoi: Fajtor për këtë situatë është opozita, e cila duhet ti respektojë rregullat e demokracisë parlamentare, ku pakica nuk mundet që me veprime të dhunshme tia imponojë vullnetin shumicës.
Nga ana e tij, kryekuvendari Veseli theksoi se është duke bërë përpjekje që në Kuvendin e Kosovës të ruhet fryma e demokracisë parlamentare, duke vazhduar me insistim në mjetet demokratike për afrimin e pozitës dhe opozitës.
Kuvendi nuk mund të bllokohet dhe do të vazhdojë punën e tij me një paketë projektligjesh shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, theksoi kryetari Veseli.
Në takim u bisedua edhe për proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik. Ambasadori Reichel theksoi se Kosova është shumë afër përmbylljes së procesit të nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Kryetari Veseli falënderoi ambasadorin Reichel për mbështetjen e fuqishme që Berlini po i jep në vazhdimësi Kosovës dhe shprehu nevojën që bizneset gjermane të investojnë kapitalin e tyre në ekonominë kosovare. Zhvillimi ekonomik është agjenda të cilën qytetarët e Kosovës e presin nga të zgjedhurit e tyre.