Refuzimi i Thaçit nuk e demoralizon AAK-në
Prishtinë, 26 dhjetor - Deklarata e kryeministrit kosovar Hashim Thaçi se nuk do të pranojë ofertën e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj nuk e demoralizon këtë forcë politike.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka deklaruar se oferta e liderit të kësaj partie Ramush Haradinaj për të qeverisur vendin është një ofertë e hershme pasi AAK mendon se vetëm Ramush Haradinaj do ta qeveriste vendin në mënyrën e duhur.
Sipas tij,nëse Haradinaj do të udhëhiqte qeverinë atëherë vendi do të merrte një kthesë drejt zhvillimit ekonomik.
Është mendim i Z. Thaçi, megjithatë është çështje dhe një marrëveshje që mund të arrihet mes të dy liderëve, dhe kjo do të shihet në procesin e ardhshëm. Marrëveshje tjetër nuk ndodh sepse duke pas përgjegjësi më të vogël, nuk mund të arrihet qëllimi programor i z. Haradinaj. Prandaj, është insistimi që të ketë rolin e kryeministrit, ka thënë ai.
Ndërkohë një ditë më parë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi refuzoi ofertën e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj për të udhëhequr qeverinë në një koalicion të mundshëm PDK-AAK.
Ofertën e prezanton partia që i fiton zgjedhjet dhe u ofron partnerëve të mundshëm për koalicion, prandaj e mirëpres vullnetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të z. Haradinaj që të jenë pjesë e një partneriteti strategjik ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , mbi bazën politike të koalicionit qeverisës aktual, ka deklaruar dje Thaçi.