Refuzimi i Beogradit, goditje për politikën e jashtme të BE-së
Prishtinë, 10 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me Didier Reynders, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Belgjikës, ka thënë se refuzimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, nga ana e Beogradit, nuk ka të bëjë me kërkesën e Serbisë lidhur me nivelin e të drejtave që do ti ketë komuniteti serb në veri të Kosovës, por bazohet në koncepte territoriale.
Në përputhje me Planin Ahtisari ky komunitet gëzon të drejta të cilat pak komunitete i gëzojnë në Evropë, por mbi të gjitha Beogradi zyrtar vazhdon të operojë me opsione të cilat nuk janë në favor të stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon, tha Hoxhaj.
Ai e ka vlerësuar shqetësues faktin se si Serbia edhe pas 20 vjetësh e definon interesin e saj nacional në kuptim territorial dhe jo në kuptimin e emancipimit, zhvillimit politik apo ekonomik të një vendi, i cili duhet të ndodhë në kornizën evropiane.
Refuzimi i marrëveshjes është edhe një goditje për politikën e jashtme të BE-së, tha Hoxhaj, duke shtuar se në ditët në vijim duhet të ketë suksese konkrete në këtë proces.
Ai i ka bërë thirrje Beogradit që ta kuptojë këtë refuzim jo vetëm nga dimensioni i brendshëm i tij, por edhe nga dimensioni rajonal dhe evropian.
Është më se e nevojshme që të ketë racionalitet, të ketë sjellje evropiane në Beograd dhe të mos ketë zgjatje të panevojshme, theksoi Hoxhaj.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe homologu Reynders po ashtu kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Belgjikës dhe Kosovës.
Hoxhaj theksoi interesimin e Kosovës që të ketë bashkëpunim të ngushtë ekonomik, tregtar dhe shkëmbime në arsim, shkencë dhe kulturë me Belgjikën.
Ai bëri të ditur se me ministrin Reynders kanë rënë në ujdi që gjatë këtij viti të organizohet një forum i biznesit në Bruksel ose në Prishtinë, me qëllim ketë sa më shumë investitorë nga Belgjika që do të investojnë në Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar përkrahjen e Belgjikës edhe për agjendën evropiane të Kosovës, përkatësisht për procesin e liberalizmit të vizave dhe hapjen e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Ministri Hoxhaj e ka njoftuar zëvendëskryeministrin Reynders edhe për zhvillimet e tjera pozitive në Kosovë, për stabilitetin politik, stabilitetin makro-fiskal, qëndrueshmërinë ekonomike dhe për punën e madhe që është bërë në këto pesë vite në ndërtimin e një Kosove multi-etnike dhe sekulare.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Tregtisë dhe Punëve Evropiane i Mbretërisë së Belgjikës, Didier Reynders, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e shtetit tët tij për Kosovën.
Reynders theksoi angazhimin e Qeverisë së tij edhe për thellimin e bashkëpunimit bilateral, duke veçuar rëndësinë e organizimit të një forumi të biznesit në Bruksel, me qëllim të rritjes së investimeve belge në Kosovë.
Ministri Reynders po ashtu vlerësoi progresin që po bënë Kosova në proceset integruese evropiane, duke veçuar miratimin e ligjeve të reja në sektorë të ndryshëm.
Lidhur me liberalizimin e vizave, Reynders theksoi se Belgjika do të ndjekë nga afër progresin e Kosovës, duke e bërë të qartë se vlerësimi i të arriturave të Kosovës do të bëhet me të njëjtat kritere dhe me të njëjtin tretman me shtetet tjera në këtë proces.
Lidhur me dialogut për normalizimin e relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Didier Reynders, ka thënë se ekziston një mundësi tejet e mirë për marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
Është shumë e rëndësishme që të qëndrohet në dialog dhe të ecet përpara, ka thënë Reynders, duke shtuar se me vullnetin e të dy palëve, do të jetë e mundur të shfrytëzohet kjo mundësi shumë e mirë.
Nëse humbet kjo mundësi, do të jetë shumë vështirë në të ardhmen e afërt të kthehemi pas në këtë situatë, jo vetëm në situatën në Ballkan, në Prishtinë dhe Beograd por edhe në BE, tha Reynders, duke theksuar se nuk është e mjaftueshme vetëm që të arrihet marrëveshje, por që të ketë gatishmëri që të implementohet një marrëveshje e tillë.