Reforma zgjedhore të mos jetë në dëm të përfaqësimit të gruas
Prishtinë, 20 janar - Në fshatin Zllakuqan u mbajt një takim i përbashkët i Grave Deputete, kryesuar nga kryetarja e Bordit të GGD-së, Teuta Sahatqija, me gratë Komunës së Klinës.
Në takim u diskutua për reformën zgjedhore, përfaqësimin gjinor, si dhe mundësitë e avancimit të pozitës së gruas në këtë komunë , por edhe në nivelin qendror. Znj. Teuta Sahatqija foli për punën e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të fuqizuar rolin e gruas, duke theksuar se kur është fjala për interesat e gruas, deputetet janë të bashkuara, siç ishte edhe rasti kur u propozua lista njëgjinore për ambasador.
Po ashtu, ajo foli edhe për punën dhe rolin e rëndësishëm që ka GGD-ja dhe gruaja në procesin e zhvillimit të demokracisë dhe në procesin drejt integrimit në BE, proces i cili varet edhe nga roli dhe fuqizimi i gruas në të gjitha nivelet dhe në të gjithë sektorët e shoqërisë. Znj Sahatqija foli për rëndësinë e fuqizimit të grave në partitë politike duke filluar nga niveli lokal.
Ajo tha se nga aktivi, dega, nëndega, buron demokracia. Në vijim kryetarja e GGD-së tha se reforma zgjedhore që është në proces nuk guxon të jetë në dëm të përfaqësimit të gruas. Kuota legjislative e cila do të sigurojë përfaqësimin e gruas është domosdoshmëri për demokracinë.
Asambleistet e Klinës folën për pozitën e Grave në Komunën e Klinës, e cila ende nuk kënaq. Në këtë takim u rekomandua që në Reformën Zgjedhore të aplikohet kuota gjinore legjislative konform Ligjit për Barazinë Gjinore; të amendamentohet Ligji për Barazi Gjinore dhe të rritet zbatueshmëria e tij në mënyrë kualitative; Ligji për Partitë Politike të përfshijë kuotat gjinore obligative, të cilat duhet t i aplikojnë në aktet normative të tyre; të rritet roli i gruas në kuvendet komunale, duke fuqizuar mekanizmat gjinor ekzistues, si: grupet e grave të komunave, Zyra për Barazi Gjinore etj.
Po kështu, në politikat arsimore të përfshihet perspektiva gjinore, si dhe të investohet në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe intelektuale të grave dhe të shikohet mundësia që të bëhen politika që rritin dhe favorizojnë mundësitë e punësimit të gruas.