Reforma zgjedhore në udhëkryq
Prishtinë, 30 janar - Koalicioni i organizatave jo-qeveritare Demokracia në Veprim ka organizuar një konferencë për media, ku është folur për procesin e reformës zgjedhore në Kosovë.
Udhëheqësi i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu fillimisht ka folur për imazhin e vendit nga zgjedhjet e kaluara.
Sipas tij, zgjedhjet e kaluara janë përcjellë me parregullsi dhe debate të ashpra për legjitimitetin e procesit zgjedhor dhe kanë lënë përshtypje shumë të keqe jo vetëm në opinionin e brendshëm, por edhe atë jashtëm.
Si rezultat, ai ka thënë se besimi i qytetarëve ka rënë dukshëm në procesin zgjedhor, partitë politike, institucionet e dala nga këto zgjedhje, si edhe në institucionet që merren me organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve.
Prandaj, sipas Kryeziut, nëse nuk kemi një reformë të mirëfilltë dhe të përfunduar me kohë, vendi ynë nuk do të mund të garantoj proces zgjedhor të lirë, të drejtë dhe të barabartë. Në të kundërtën siç tha ai, do shpërfaq dhe më tutje dëmtimin e demokracisë dhe paaftësinë e politikës kosovare për të garantuar një demokraci të qëndrueshme.
Edhe pse fillimi i procesit të reformës u përcoll me marrëveshje politike dhe rezolutën e dalë nga Kuvendi, gati pas dy vite kundërshtitë e shefave partiak për çështjet kryesore dhe paaftësia e tyre për pajtueshmëri për çka edhe është filluar kjo reformë, e kanë vendosur reformën zgjedhore në udhëkryq, ka thënë ai.
Kryeziu ka vlerësuar se përderisa Komisioni për reformë zgjedhore dhe grupi punues nuk janë funksional tash e një kohë të gjatë, kohë pas kohe ka takime të shefave të partive politike për këtë çështje.
Sipas tij, takimet e tilla të liderëve jashtë institucioneve me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar tregojnë krizën e spektrit politik kosovar dhe paaftësinë e tyre për të arritur pajtueshmëri për vendime politike.
Në anën tjetër, ndërhyrja e shefave partiak në reformën zgjedhore është treguesi më i mirë për koncentrimin e fuqisë politike tek shefi dhe injorimin që është duke ju bërë jo vetëm shoqërisë civile, por dhe grupit punues dhe Komisionit për reformë zgjedhore si institucion i formuar nga Kuvendi i Kosovës.
Sa i përket afateve kohore, Kryeziu ka theksuar se nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të rregullta atëherë afati kohor për harmonizimin e akteve nënligjore, si dhe organizimi i procesit zgjedhor do duhej të ishte më së paku gjashtë muaj.
Ndryshimi i ligjit zgjedhor gjithsesi se e ndikon dhe ligjin zgjedhor për zgjedhje lokale. Prandaj, fakti që viti 2013 është vit zgjedhor, e përcakton nevojën urgjente që të përmbyllet reforma zgjedhore në afate kohore më të shpejta, ka vlerësuar ai, ndërkohë ka shtuar se në të kundërtën, në zgjedhjet e ardhshme do të ballafaqohemi me vazhdimin e trendit për rënie të pjesëmarrjes qytetare në procesin zgjedhor.
Vendi sipas tij do të përballet me një proces jo të besueshëm e si për pasojë do të vazhdojmë të ndërtojmë institucione me legjitimitet të diskutueshëm si për qytetarët e vendit, ashtu dhe për institucionet ndërkombëtare që kanë paralajmëruar kosovarët për nevojën e reformës zgjedhore.
Ndërkohë, lidhur me idenë e mbajtjes së shumë palë zgjedhjeve për një ditë, për Demokracinë në Veprim është e gabuar, rrit mundësinë për keqpërdorime, si dhe potencialisht rrit mundësinë për numër më të madh të votave të pavlefshme, imazhi i Kosovës do të dëmtohej edhe më shumë sesa me zgjedhjet e vitit 2010.
Kjo sipas Kryeziut, mund të jetë shumë e kushtueshme, si në aspektin financiar po ashtu edhe në atë politik. Prandaj DnV konsideron se vonesat në reformën zgjedhore nuk duhet të përdoren si mekanizëm dhe mundësi që të ndikohet në shtyrjen e zgjedhjeve lokale.
Zgjedhjet lokale duhet të mbahen brenda kohës së paraparë me ligj (tetor-dhjetor 2013), duhet të krijojmë traditë të kalimit të pushteteve brenda kornizës së paraparë me ligj, është thënë në konferencë.
Me këtë rast, në konferencë janë paraqitur edhe rekomandimet e Demokracisë në Veprim, si në vijim:
DnV konsideron se disa të arritura që janë bërë në reformat e mëhershme zgjedhore si hapja e listave zgjedhore, nuk duhet të kthehen në tavolinë të diskutimit për mbyllje sepse kjo do të paraqiste hapa prapa në demokracinë edhe ashtu të brishtë kosovare;
- Diskutimet për reformë zgjedhore duhet të kthehen nga restorantet në Komisionin për reformë zgjedhore dhe në Kuvendin e Kosovës.
- Kuvendi i Kosovës duhet të respektoj Rezolutën e vetë për reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese duke u bërë akteri vendimmarrës dhe përcaktues i reformës.
- Vendimet për çështjet kryesore të reformës zgjedhore (sistemi, lista e votuesve, listat zgjedhore, etj), duhet të merren me konsensus të gjithë aktorëve dhe jo nga një grup i vogël i njerëzve.
- Kuvendi dhe partitë politike duhet të kenë parasysh që miratimi i ligjit është vetëm një pjesë e reformës zgjedhore. Institucioneve përkatëse, në këtë rast KQZ-së, duhet dhënë kohën e duhur për nxjerrjen e legjislacionit sekondar, trajnimin e stafit dhe edukimin e votuesve.
Sipas DnV-së, Listat e hapura, 26 zonat zgjedhore, pragu zgjedhor prej 3% (për partitë politike), 5% për koalicionet, pastrimi i listave zgjedhore, etj, janë mekanizma që prodhojnë konkurrencë ndërmjet kandidatëve, subjekteve politike, rrisin përgjegjësinë dhe llogaridhënien ndërmjet të zgjedhurve dhe qytetarëve, si dhe mundësojnë parlament përfaqësues.
Në të kundërtën mbyllja e listave, Kosova me një zonë zgjedhore etj, nuk i shërbejnë reformës, por regresit zgjedhor dhe njëherësh janë në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit dhe arsyeshmërinë për reformë zgjedhore.
Prandaj, DnV përsëritë edhe një herë propozimet e saj kryesore për reformat zgjedhore të cilat janë: Lista të hapura, 26 zona zgjedhore, struktura e KQZ-së dhe pragu zgjedhor prej 3 për qind.
DnV është e përkushtuar që në kohën dhe në momentin e duhur të përfshihet në edukimin e votuesve, monitorimin e fushatës dhe ditës së zgjedhjeve. DnV është duke bërë parapërgatitjet e duhura në këtë aspekt.