Reforma zgjedhore diskriminon partitë e vogla
Prishtinë, 3 prill - Reforma Zgjedhore po ndodh sa për sy e faqe, sepse partitë e mëdha janë duke i bërë ndryshimet në ligjin zgjedhor siç po u shkon për shtati atyre.
Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë së Drejtësisë Jeton Svirca, në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku u diskutua mbi projektligjin ëpr zgjedhjet.
Svirca, që njëherësh është edhe nënkryetar i PD-së, ka adresuar kritika në drejtim të partive të mëdha, duke thënë se nuk kanë treguar një vullnet politik për një reformë të mirëfilltë zgjedhore.
Unë kam shumë kritika lidhur me ecurinë e procesit të reformës zgjedhore, dhe them se kjo reformë është duke u bërë sa për sy e faqe. Po të kishte vullnet politik deri më tani reforma do të ishte përfunduar edhe me ndryshimet kushtetuese duke garantua një reformë të mirëfilltë dhe të zbatueshme. Në këtë projektligj i cili nuk paraqet reformë nuk kemi garanci që zgjedhjet e ardhshme do të organizohen me listën e pastruar të votuesve apo do të eliminohen problemet e evidentuara nga zgjedhjet e kaluara, ka pohuar ai.
Svirca më tej ka shtuar duek thënë se një ndryshim apo edhe përmirësim i mëtutjeshëm i sistemi zgjedhor do të ndikonte në rritjen e legjitimitetit demokratik dhe të përgjegjshmërisë së gjithëmbarshme.
Republika e Kosovës deri më tani ka pasur një zonë zgjedhore, me lista hapura dhe debati mbi reformën është fokusuar në këto tema. Mirëpo ajo çka është e rëndësishme dhe që është faktor kyç në mbarëvajtjen e zgjedhjeve është mënyra e menaxhimit të zgjedhjeve. Sa i përket menaxhimit, është e rëndësishme që kësaj duhet ti kushtojmë më shumë rëndës, ka përfunduar Svirca.
Ndryshe, rëndësia e një reforme gjithëpërfshirëse është nënvizuar edhe në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE-së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011, në të cilat është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje.