Reeker: SHBA mbështetet Kosovën
Bruksel, 19 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u takua sot në Bruksel me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit nga Byroja për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Philip Reeker.
Me rastin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Thaçi dhe Reeker folën për përparimin që Kosova ka arritur gjatë pesë vjetëve të fundit. Në takim po ashtu u diskutua për vizionin e Kosovës për tu ballafaquar me sfidat e ardhshme, me theks të veçantë në ato që lidhen me aspiratat euroatlantike të Kosovës. Në këtë kontekst, të dy palët janë pajtuar që dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është një pikë kthese e rëndësishme.
Kryeministri Thaçi njoftoi Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit se në fazën e ardhshme të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për një agjendë të shpejtë dhe dinamike të reformave, që shpien drejt integrimit të saj në institucionet euroatlantike.
Kryeministri po ashtu vuri në pah përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj procesit të dialogut me Serbinë që shpie tek përmirësimi i marrëdhënieve fqinjësore me qëllim të përfitimit nga qytetarët e të dy shteteve.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker e uroi Kryeministrin dhe popullin e Kosovës për pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ai përsëriti vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe për shtegun e saj të integrimeve euroatlantike. Z.Reeker vuri në pah rëndësinë e dialogut në të ardhmen e afërt dhe e përgëzoi Kryeministrin Thaçi për sukseset e arritura deri më tash dhe e inkurajoi Kosovën që të vazhdojë të luajë një rol aktiv në këtë proces.
Në takimin me Reeker, Kryeministri Thaçi ishte i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Ministrja për Integrime Evropiane, znj. Vlora Çitaku, Koordinatori për Dialog, z. Blerim Shala dhe Këshilltari i Lartë i tij, z. Bekim Çollaku.