Reeker: Nuk ka diskutim për ndarjen e Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin zbatimin e Pakos së Ahtisarit dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ka deklaruar ai.
Pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit theksoi se tashmë fokusimi duhet të jetë në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri si dhe zbatimin e Planit të Ahtisarit.
Autoritetet kosovare kanë të drejtë ta shtrijnë autoritetin e tyre pjesën veriore të vendit, tha Reeker.
Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i qartë dhe ajo që duhet të bëjmë është vullneti për vendosjen e sundimit të ligjit. Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin, theksoi Reeker, duke mbështetur punën e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, në shërbim të gjithë qytetarëve.
Ai edhe njëherë përçoi mesazhet e politikës amerikane të gjitha vendeve të rajonit se nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan, duke potencuar se çështja kryesore këtu është vendosja e rendit dhe ligjit.
Në orët e pasditës zoti Reeker pritet të vizitojë manastirin e Graçanicës, për t`u takuar me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Serbe.