Reduktohet numri i komisioneve parlamentare nga 16 në 12
Prishtinë, 28 shkurt - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është shqyrtuar edhe njëherë propozimi për formimin e komisioneve parlamentare.
Është arritur pajtimi që, në funksion të efikasitetit më të madh të punës së mekanizmave të Kuvendit, numri i komisioneve parlamentare të Legjislaturës IV të jetë 12, nga 16 sish sa kanë funksionuar në Legjislaturën III.
Ka pasur, ndërkaq, debat për fushë veprimtarinë e komisioneve, sidomos për sa përket mënyrës së bashkimit të dy e më shumë komisioneve nga legjislatura e kaluar.
Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare e kanë parë të arsyeshme që numri dhe struktura e komisioneve parlamentare të diskutohet edhe nëpër grupet parlamentare, në mënyrë që në seancë plenare të Kuvendit, ndryshimi i numrit të komisioneve të kalojë me dy të tretat e votave të deputetëve, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit.
Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, janë shprehur të gatshëm të konsultohen vazhdimisht me grupet parlamentare, në mënyrë që votimi në seancë plenare, për numrin e komisioneve, për përcaktimin e veprimtarisë së tyre, si dhe numrin e deputetëve në çdo komision parlamentar, të jetë i suksesshëm.