Rasti Kurti, më 8 prill Kuvendi mban seancë debati
Prishtinë, 30 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës bashkë me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, përcaktoi rendin e ditës së seancës së Kuvendit, e cila do të mbahet më 15 prill .
Pas kohës së pyetjeve parlamentare, në seancën e 15 prillit do të shqyrtohen për herë të parë 3 projektligje, përkatësisht: Projektligji për Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-9 për ujitjen e tokave bujqësore, si dhe Projektligji për Gjykatat, ndërsa për herë të dytë do të shqyrtohen Projektligji nr. 03/L-173 për shërbimet postare dhe Projektligji nr. 03/L-171 për Mërgatën e Kosovës.
Në vijim të kësaj seance do të shqyrtohet edhe Propozimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Zyrës së Rregullatorit për Ujësjellës dhe Mbeturina.
Në vijim të mbledhjes së sotme, Kryesia mbi bazën e Rekomandimeve të Komisionit për Legjislacion e Gjyqësi dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione vendosi që të caktojë një seancë debati, lidhur me rastin e Albin Kurtit, e cila do të mbahet më 8 prill.