Rasmussen shpreh mbështetjen e NATO për Kosovën
Prishtinë, 30 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen..
Në këtë bashkëbisedim Thaçi dhe Rasmussen kanë biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon, për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe për tema tjera, njofton Qeveria.
Sipas njoftimit, Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar lartë rolin e NATO-s në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe ka theksuar se në këtë drejtim bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me NATO-n është i shkëlqyeshëm.
Gjatë bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës, thuhet në njoftim.
Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë, ka theksuar Thaçi dhe informoi sekretarin Rasmussen se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar thellësisht në ndërtimin e një klime të mirëbesimit me qytetarët e saj në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e gjithanshme edhe në atë pjesë të vendit.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka shprehur mbështetjen e NATO-s për angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në këtë drejtim, Rasmussen ka vlerësuar lartë rolin konstruktiv të Qeverisë së Kosovës në koordinimin e veprimeve me autoritetet e NATO-s për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës në pjesën veriore të vendit.