Rasmussen rikonfirmon angazhimin e NATO-s në Kosovë
Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar sekretarin Rasmussen me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, proces në të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për krijimin e klimës së mirë ndërfqinjësore në mes të dy shteteve tona.
Kryeministri Thaçi, gjithashtu ka theksuar edhe angazhimin drejt avancimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale. Qeveria e Republikës së Kosovës pret një vlerësim real nga NATO për këtë proces, tha Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që NATO të ketë rol vendimtar edhe në procesin e implementimit të marrëveshjes eventuale të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka rikonfirmuar angazhimin e aleancës veriatlantike për përmbyllje të suksesshme të misionit të vet në Kosovë.