Rashiq krijon Partinë Demokratike Progresive
Prishtinë, 22 prill - Partia Demokratike Progresive (Progresivna Demokratska Stranka) është partia më e re që është krijuar në Republikën e Kosovës. Subjekti më i ri politik me numër rendor 63/2014, udhëhiqet nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.2014
Në mbledhjen e 20-të të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, është aprovuar regjistrimi i kësaj iniciative të re politike.
Partia Politike - Progresivna Demokratska Stranka PDS, i përmbush kriteret e përcaktuara në nenin 12 të Ligjit Nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe obligimet e përcaktuara me nenin 3 dhe 4.1 të Rregullës 01/2013 për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Po ashtu, zyra për Regjistrimin e Partive Politike përpos PDS-së, ka rekomanduar regjistrimin edhe të një partie tjetër, me emrin: Unioni i Bashkuar i Goranëve (Jedinstvena Unija Goranaca JUG). Mirëpo sipas njoftimit, anëtarët e KQZ-së nuk e kanë regjistruar këtë iniciativë.
Gjatë këtij takimi, në kontekst me aktivitetin e Këshillave të KQZ-së, Këshilli për Procedura, i ka rekomanduar KQZ-së formimin e Grupit Punues në përbërje prej KQZ dhe SKQZ-së, për hartimin Strategjisë së KQZ-së.
Pas shqyrtimit të këtij rekomandimi, ashtu siq thuhet në njoftim, anëtarët e KQZ-së kanë vendosur themelimin e grupit prej 11 anëtarësh, i cili grup punues do të kryesohet nga kryetarja, Valdete Daka.