Rashiq e Braathu kanë vizituar OJQ-në Lady
Prishtinë, 15 korrik - Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, së bashku me ambasadorin norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, kanë vizituar sot Organizatën Joqeveritare Lady në Prishtinë, organizatë kjo që përmes aktiviteteve të saja këshillon, përkrahë dhe ndihmon gratë të gjejnë punë dhe dhënien e këshillave të nevojshme për ndërmarrësi.
Gjatë takimit, znj. Sanije Murati, drejtoreshë e kësaj organizate ka bërë të ditur se kjo OJQ ka filluar punën nga viti 2005 me shtrirjen e aktiviteti në Kosovë ku ka përmendur një sërë programesh që kanë realizuar gjatë kësaj periudhe kohore me çrast kanë arritur të ndihmojnë në vetëdijesimin dhe angazhimin e grave për tema të ndryshme në integrimin e tyre në shoqëri duke përfshirë këtu edhe minoritetet.
Në këtë takim me një prezantim të shkurtër ishte edhe përfaqësuesi i organizatës Joqeveritare Besa Consulting të cilët kërkuan mbështetjen dhe përkrahjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ambasadës Norvegjeze në realizimin e projekteve që ata kanë ndërmend të praktikojnë në të ardhmen në mënyrë që të ndikohet në angazhimin dhe përmirësimin e gjendjes së një pjese të njerëzve që për arsye të ndryshme nuk kanë depërtuar në mjedisin e shoqërisë sonë.
Edhe ministri Rashiq dhe ambasadori Braathu premtuan për këto dy organizata joqeveritare se do të shikojnë të gjitha mundësitë e çfarëdo lloj ndihme dhe përkrahje në realizimin e projekteve që janë në të mirë të qytetarëve.