Raportuesi Special i OKB-së Fabian Savioli shpreh solidaritetin me popullin e Kosovës
Prishtinë, 29 nëntor - Angazhimi i Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nismat për drejtësi tranzicionale, ishin tema të takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Fabian Savioli, Raportues Special i Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe garantimit të mos-përsëritjes.
Savioli shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi.
Ai tha se na duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre.
Ai veçoi disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Po ashtu foli edhe për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë për raste të krimeve të luftës, duke qenë se shumica e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë ndodhen në Serbi, dhe Serbia refuzon të i dorëzoj ata para drejtësisë.
Kryeministri Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.