01 Maj 2025

Raporti konfirmon rrugën evropiane të Kosovës

Prishtinë, 10 nëntor - ­­Në grupin e raporteve vjetore që janë miratuar sot, Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitën se ku qëndrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia në përgatitjen për përmbushjen e kërkesave për anëtarësim në BE dhe ka paraqitur se çfarë duhet të bëhet për të adresuar sfidat që mbeten.

Duke prezantuar Pakon vjetore për Zgjerim, Komisioneri Johannes Hahn tha: se kriza aktuale e refugjatëve tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi i ngushtë në mes të BE-së dhe vendeve të Evropës Jug-Lindore.

"Procesi i zgjerimit të BE-së, i cili mbulon Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, është një mjet i fuqishëm për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në këto vende. Ai po ashtu rrit ekonominë dhe promovon bashkëpunimin rajonal."

"Një perspektivë e qartë evropiane transformon gradualisht vendet tona partnere dhe fuqizon stabilitetin rreth Unionit tonë. Zotimi ynë i vendosur për zgjerim të BE-së dhe për kushtet që përmban ai është një investim afatgjatë në sigurinë dhe prosperitetin tonë të Evropës", theksoi Hahn.

Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, ka theksuar se përkundër një viti sfidues, Kosova ka dëshmuar të arritura të mëdha, në mënyrë të veçantë nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si një e arritur e rëndësishme dhe marrëdhënie e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

"Kjo Marrëveshje do të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së. Ajo do të krijojë kornizën kryesore për marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Kosovës, duke e përgatitur më tej Kosovën për në rrugën e saj evropiane."

Zhbogar tha se përkundër një vonese në formimin institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2014, ata kanë arritur të nxjerrin ligje të rëndësishme: pakoja gjyqësore dhe pakoja për të drejtat e njeriut – qenësore për procesin e liberalizimit të vizave. Mirëpo, me bllokimin e Kuvendit të Kosovës përsëri, po vonohen edhe reformat kryesore që i duhen Kosovës. "Kosova nuk ka kohë për të humbur. Koha e humbur e largon Kosovën nga një e ardhme më e mirë për popullin e saj, fëmijët e saj.”

Zhbogar nënvizoi një numër çështjesh nga raporti. "Rënia e normave të interesit për kreditë afariste dhe rritja e fundit e IHD paraqet një progres të rëndësishëm që mbështet zhvillimin afarist. Progres i mirë është arritur në zhvillimin e kornizës strategjike gjithëpërfshirëse për reformat në administratën publike dhe në përmirësimin e legjislacionit, mirëpo një angazhim politik i fuqishëm e i vazhdueshëm është qenësor. 

Sistemi i sundimit të ligjit mbetet i dobët, gjykatat mbeten të ngadalshme dhe joefikase. Organet gjyqësore dhe zbatimi i ligjit mbeten të pritura për të pasur ndërhyrje politike. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten një sfidë kryesore dhe në këtë drejtim nevojiten përpjekje të mëdha për konfirmimin e bindjeve në rastet e tilla, përfshirë këtu edhe ato në nivelin e lartë.

Kosova ka treguar kurajë dhe pjekuri politike në vendimin për të krijuar Dhomat e Specializuara për të ndjekur supozimet që janë paraqitur në raportin e Këshillit të Evropës. Ajo ka vazhduar të ketë një qasje konstruktive në dialogun e saj me Serbinë, të lehtësuar nga BE. Një ndjenjë e nevojshme dhe e rekomandueshme e kompromisit ka mundësuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe në Kosovë si dhe marrëveshjet për telekomunikacion, energji dhe liri të lëvizjes. Kosova ka trajtuar sfidat e çështjes së migrimit, si rezultat i së cilave shifrat e migrimit për Kosovën kanë rënë në mënyrë drastike."

"Përkundër shumë sfidave që ende ndodhen para për Kosovën, ne kemi arsye për optimizëm. Me ratifikimin e pritur të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga parlamenti Evropian në fillim të vitit të ardhshme, ne do ta kemi një mjet të fuqishëm për dialogun politik, reformat dhe ndryshimin konkret për jetë më të mire për popullin e Kosovës. Fokusi tani duhet të jetë në tregimin e rezultateve në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. BE-ja do të ofrojë mbështetjen e saj dhe këshillimin për Kosovën në këtë punë të rëndësishme”, përfundoi Zhbogar.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)